Please enter at least 3 characters.

Ecja malore në Shtegun e Peklenës - pjesëmarrësit rrëfejnë kënaqësinë e përjetuar në Bjeshkët e Rugovës

Më 23 mars 2025, Shoqëria Bjeshkatare Sharri organizoi me sukses një aktivitet malor në Shtegun e Peklenës, i cili shtrihet mbi Grykën e Rugovës në Pejë.

Ky itinerar ofroi një përvojë të pasur alpinistike, duke kombinuar sfidën fizike me panoramat mahnitëse të Alpeve Shqiptare.

Nisja e grupit u bë rreth orës 10:00 nga një lartësi prej 1400 metrash, me qasjen nga ana perëndimore e kurrizores malore. Duke ndjekur shtegun e përcaktuar, pjesëmarrësit arritën në Qafën nën majën e Vjellakut. Nga aty, grupi u nda në dy pjesë: një pjesë vijoi rrugën përgjatë kurrizores, ndërsa pjesa tjetër u ngjit drejt majës së Vjellakut, e cila arrin një lartësi prej 2014 metrash mbidetare.

Gjatë kthimit, grupi u ribashkua dhe vazhdoi zbritjen nëpër shteg, duke përjetuar një peizazh të jashtëzakonshëm nga të dyja anët e kurrizores.

"Kushtet atmosferike ishin optimale, me një mot të kthjellët, pa erë apo reshje, duke mundësuar një eksperiencë të sigurt dhe të këndshme për të gjithë pjesëmarrësit," thuhet në njoftimin e SHB Sharri.

Ky aktivitet u karakterizua nga një organizim i shkëlqyer dhe një atmosferë e këndshme shoqërore, duke reflektuar përkushtimin e komunitetit alpinist në promovimin e ecjes malore dhe eksplorimin e natyrës./Telegrafi/