Dyshohet se mori ryshfet nga një biznes, arrestohet një inspektor i punës në Prishtinë
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Njësinë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, ka arrestuar një inspektor të Inspektoratit të Punës, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.
I dyshuari me inicialet G.B. është ndaluar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij.
Sipas Prokurorisë, arrestimi i inspektorit është realizuar pas zbatimit të masave të fshehta hetimore, përfshirë edhe masën e simulimit, ku ai është kapur në flagrancë.
Dyshohet se inspektori ka pranuar para nga një biznes, me qëllim që ta amnistojë atë nga shkeljet e konstatuara gjatë inspektimit, pasi ishte vërejtur se disa punëtorë nuk ishin të deklaruar.
Tutje nga Prokuroria Themelore kanë theksuar se do të parashtrohet kërkesa për caktimin e paraburgimit.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka arrestuar në flagrancë një inspektor të Inspektoratit të Punës. I dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje penale dhe, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë me shkrim para gjykatës kompetente për caktimin e ndonjërës prej masave ndaj të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë. /Telegrafi/


