Dy persona kapen duke bërë gara shpejtësie në Pejë, shqiptohen masa ndaj tyre
Një rast shqetësues i garave të paligjshme me automjete në rrugët e vendbanimit në Pejë është zbuluar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor të Drejtorisë Rajonale të Policisë Pejë.
Falë video-incizimeve të shpërndara në rrjetet sociale, policia ka ndërmarrë veprime të shpejta për të identifikuar dhe ndëshkuar drejtuesit që rrezikuan sigurinë e qytetarëve.
"Më datë 02.10.2025, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor DRP Pejë, duke u bazuar në video-incizimet e pranuara nga rrjetet sociale, ka konstatuar se dy persona me automjete kanë kryer kundërvajtje në trafik, duke bërë gara shpejtësie në vendbanim", thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se Policia ka kontaktuar kundërvajtësit dhe ndaj tyre janë shqiptuar masat: Gjobë monetare: 500 euro; Pikë negative: 5; Masë mbrojtëse: 12 muaj. /Telegrafi/


