Dy ish-emisarë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi të përfshirë në 'skandale ndërkombëtare'
Federica Mogherini dhe Miroslav Lajçak
Dy ish-emisarë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini dhe Miroslav Lajçak, janë përfshirë në dy skandale të ndara, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Federica Mogherini, ish- Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë (2014–2019), u arrestua në dhjetor të vitit 2025 gjatë një bastisjeje policore si pjesë e një hetimi për një skemë të dyshuar mashtrimi, e cila lidhet me trajnimin e diplomatëve evropianë.
Mogherini, aktualisht drejtuese e kolegjit pasuniversitar “College of Europe”, u arrestua në Bruksel bashkë me zëvendësshefin e shkollës së trajnimit dhe Stefano Sanninon, ish-sekretar të përgjithshëm të Shërbimit Diplomatik të Bashkimit Evropian (EEAS) nga viti 2021 deri në vitin 2024.
Bastisja përfshiu jo vetëm ambientet e kolegjit, por edhe zyrat e shërbimit diplomatik të EEAS-it, duke nxitur spekulime për përfshirjen e zyrtarëve të lartë evropianë në një skemë financiare të dyshuar që lidhej me fondet për trajnime diplomatike.
Gjatë mandatit të saj si Përfaqësuese e Lartë, Mogherini kishte ndërmjetësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, një proces ky i vlerësuar si kyç për stabilitetin rajonal dhe avancimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor.
Emërimi i saj në këtë post e vendosi atë në qendër të politikës ndërkombëtare, ndërsa arrestimi i mëvonshëm hedh një hijë mbi reputacionin e figurave të larta të diplomacisë evropiane.
Ndërkaq, ish-emisari tjetër i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përfundoi mandatin e tij katërvjeçar si dërguar i posaçëm për dialogun në fund të gushtit të vitit 2025.
Pas përfundimit të detyrës, ai u emërua këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit të Sllovakisë, por u detyrua të japë dorëheqje pas publikimit të dokumenteve nga SHBA-të që zbardhnin shkëmbime mesazhesh të tij rreth vajzave dhe diplomacisë me Jeffrey Epstein, person i njohur për aktivitetet e tij kriminale dhe skandalet ndërkombëtare.
Lajçak ka pranuar publikisht se mesazhet tregojnë gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm, duke i përshkruar ato si “ego mashkullore budallaqe”.
Ai ka shtuar se nuk i konsideron ato si akt kriminal, por si mungesë të vlerësimit etik dhe profesional. Lajçak ka shpjeguar se në vitin 2017 mbërriti në Nju Jork për një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe u prezantua me Epstein nga një diplomat i huaj, duke theksuar se takimi ishte pjesë e krijimit të kontakteve diplomatike, një element i zakonshëm në karrierën e tij.
Lidhur me përfshirjen e Lajçakut në skandalin Epstein, Bashkimi Evropian ka reaguar duke theksuar se kjo nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ai e ndërmjetësoi për pesë vjet.
Zyrtarët evropianë insistonin se lidhjet e Lajçakut nuk kanë pasur ndikim në dialog.
“Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikeqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare", tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së.
Ndërsa hetimet për Mogherinin dhe bashkëpunëtorët e saj vazhdojnë në Belgjikë, dhe ndikimi i Lajçak në skandalin me Epstein është bërë objekt i kritikave ndërkombëtare, këto raste pasqyrojnë sfidat që lidhen me transparencën dhe përgjegjësinë e diplomacisë evropiane.
Pos Mogetinit e Lajçakut, edhe Ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, i njohur për deklaratat e tij të ashpra ndaj Kosovës, është përfshirë së fundmi edhe në dokumentet e publikuara që lidhen me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Në vitin 2004, Jagland kishte deklaruar se mafia kishte marrë nën kontroll një pjesë të madhe të qeverisjes së Kosovës, duke thënë se “Kosova prodhon pak gjëra të tjera përveç krimit”.
“Kur dihet se Afganistani prodhon 75 për qind të opiumit në botë dhe se pjesa më e madhe e tij kalon përmes Kosovës, ka arsye serioze për të dhënë alarmin”, kishte shtuar ai.
Në vitin 2010, Jagland kishte kërkuar një hetim më të thellë lidhur me akuzat se kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i përfshirë, ndër të tjera, edhe në trafikim të paligjshëm të organeve.
Duke u mbështetur në raportin e përgatitur nga Dick Marty, ai kishte deklaruar se këto akuza nuk mund të mbesnin pa përgjigje.
“I kam lexuar akuzat për trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë. Raporti përmban shumë akuza serioze dhe kam frikë nga pasojat që mund të sjellë”, kishte thënë Jagland.
Ndërkohë, emri i Jaglandit është përmendur në dokumentet e lidhura me Jeffrey Epsteinin, ku në një shkëmbim emailesh të publikuara del se ai dhe familja e tij kishin plane për një udhëtim në ishullin privat të Epsteinit, pranë “Virgin Islands” në Detin Karaibe, gjashtë vjet pasi Epstein ishte dënuar për tentim të blerjes së shërbimeve seksuale nga të mitur./Telegrafi.


