Please enter at least 3 characters.

Dukagjini Center hap Qendrën e Zhvillimit “Agim Lluka” – hapësirë e re për dije, inovacion dhe zhvillim profesional

Në ambientet e Dukagjini Center është inauguruar zyrtarisht Qendra e Zhvillimit “Agim Lluka”, një hapësirë moderne që synon të vazhdojë dhe të zgjerojë misionin e një prej figurave më të rëndësishme në fushën e librit dhe dijes në Kosovë.

Në ceremoninë e hapjes,Prof. dr., në Universitetin e Tiranës, Bardhyl Musai, theksoi rëndësinë e vizionit dhe dijes si motor të ndryshimit shoqëror.

“Ndryshimi krijohet me besim, me vizion, me dije dhe ndryshimi i vërtetë është kur kjo dije shndërrohet në identitet. Më tej dua të them se vizioni i Agim Llukës dhe i gjithë familjes Lluka që ka kontribuar është i tillë që është mishëruar dhe kemi sot një vizion tjetër që e ka bërë Dukagjinin një emër kaq të madh të ketë edhe identitetin e vet”, u shpreh Musai.

Mbesa e Agim Llukës, Edona Lluka-Vokshi, tha se qendra e re është një hapësirë e dedikuar për zhvillim profesional dhe bashkëpunim.

Ajo tregoi se qendra do të shërbejë për takime, konferenca dhe projekte profesionale, duke u kthyer në një pikë takimi për ide dhe avancim ndërmjet individëve, organizatave dhe bizneseve.

Nga Shtëpia Botuese Dukagjini, Erza Mati tha se hapja e kësaj qendre përfaqëson një moment të rëndësishëm si për institucionin, ashtu edhe për komunitetin më të gjerë.

Ajo theksoi se Qendra e Zhvillimit “Agim Lluka” është një nderim për themeluesin e shtëpisë botuese dhe një vazhdimësi e drejtpërdrejtë e vizionit të tij.

“Kjo qendër është një nderim për kontributin e tij, por gjithashtu edhe një vazhdimësi e vizionit të tij, të cilin ne si gjeneratë e re po e trashëgojmë për ta vazhduar me përgjegjësi dhe përkushtim maksimal”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, kjo qendër është konceptuar si një pikë takimi ku ndërthuren dijet, idetë dhe zhvillimi profesional, duke krijuar një ekosistem të ri për edukim dhe bashkëpunim ndërmjet individëve, organizatave dhe bizneseve.

Qendra ofron kushte bashkëkohore për organizimin e konferencave, trajnimeve profesionale dhe eventeve korporative.

Me kapacitet deri në 250 persona, hapësira është e pajisur me teknologji moderne, duke përfshirë sisteme të avancuara të zërit dhe kabina për përkthim simultan, çka e bën të përshtatshme për aktivitete të nivelit të lartë vendor dhe ndërkombëtar.

Një nderim për vizionin e Agim Llukës

Qendra mban emrin e Agim Llukës, themeluesit të Shtëpisë Botuese Dukagjini, si një formë nderimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit dhe kulturës në vend.

Hapja e kësaj qendre përfaqëson një investim në infrastrukturë dhe një vazhdimësi të drejtpërdrejtë të vizionit të tij, një vizion që e vendos dijen në qendër të zhvillimit shoqëror.


Brenda qendrës është krijuar edhe një kënd muzeal, i cili pasqyron rrugëtimin dhe ndikimin e Agim Llukës ndër vite, duke e bërë këtë hapësirë jo vetëm funksionale, por edhe simbolike.

Për dekada me radhë, Shtëpia Botuese Dukagjini ka qenë një ndër shtyllat kryesore të botimeve në Kosovë, duke sjellë libra shkollorë, vepra letrare dhe botime profesionale që kanë formësuar mendjen dhe kulturën e brezave të tërë.

Një qendër për komunitetin dhe të ardhmen

Qendra e Zhvillimit “Agim Lluka” synon të shndërrohet në një platformë ku lindin ide të reja, zhvillohen bashkëpunime dhe ndërtohen projekte me ndikim real.

Hapja e saj shënon një kapitull të ri për Dukagjinin dhe një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kulturës së dijes dhe zhvillimit nëKosovë./Telegrafi.