Please enter at least 3 characters.

Nëna e 20-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në Korçë: Biri im, do të mbetesh përjetësisht fryma ime

Nëna e 20-vjeçarit Joan Zuko, i cili humbi jetën tragjikisht në Korçë, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë, duke njoftuar edhe ceremoninë e varrimit të të birit.

Përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale, Ornela Zuko ka shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e djalit të saj, të cilin e quan “dritën e syve të mamit”.

“Me zemrën e copëtuar dhe me dhimbjen më të madhe që mund të mbajë shpirti i një nëne, në pamundësi për t’ju përgjigjur të gjithëve, ju njoftojmë se më 11 gusht, në orën 12:00, do t’i japim lamtumirën e fundit birit tim të vogël, dritës së syve të mamit”, ka shkruar ajo.

Nëna e 20-vjeçarit ka thënë se i biri do të mbetet përgjithmonë pjesë e shpirtit të saj.

“Biri im, ti do të mbetesh përjetësisht fryma ime, dashuria ime më e madhe dhe pjesa më e shtrenjtë e zemrës sime. Mami nuk do të të harrojë kurrë dhe do të të mbajë brenda shpirtit deri në frymën e fundit”, thuhet në mesazhin e saj.

Në fund, ajo i ka drejtuar të birit fjalët e fundit të një nëne të pikëlluar:

“U prehsh në paqe, engjëlli i mamit”.

Ceremonia e lamtumirës së fundit për 20-vjeçarin Joan Zuko do të zhvillohet më 11 gusht, në orën 12:00.