Drejtoria e Bujqësisë në Kamenicë intensifikon aktivitetet në terren, fokus te blegtoria dhe menaxhimi i kullotave
Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Kamenicës ka vazhduar aktivitetet në terren gjatë kësaj jave, me fokus të veçantë në zhvillimin dhe përkrahjen e sektorit të blegtorisë.
Në kuadër të këtyre angazhimeve, është trajtuar tema “Menaxhimi i kullotave”, e cila synon përmirësimin e shfrytëzimit të qëndrueshëm të resurseve natyrore dhe rritjen e produktivitetit në këtë sektor.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Shpend Morina, së bashku me stafin profesional, kanë zhvilluar vizita në terren, ku janë takuar me fermerë dhe blegtorë për t’u ofruar këshilla praktike dhe udhëzime konkrete lidhur me menaxhimin më efikas të kullotave.
Gjatë këtyre takimeve, Morina ka theksuar se mbështetja për fermerët mbetet prioritet institucional dhe se aktivitetet në terren do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Këto angazhime dëshmojnë përkushtimin institucional për të qenë sa më afër fermerëve dhe për t’i ndihmuar ata në përballimin e sfidave të përditshme, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal”, ka deklaruar ai.
Nga Drejtoria e Bujqësisë bëhet e ditur se këto aktivitete synojnë rritjen e kapaciteteve të fermerëve dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në komunë. /Telegrafi/


