Dragashi pa ujë, nesër protestë para Komunës – nga Hidroregjioni Jugor tregojnë pse nuk ka furnizim të mjaftueshëm
Mungesa e ujit të pijshëm në Dragash ka nxitur reagime të qytetarëve, ndërsa për nesër, më 11 gusht, është paralajmëruar protestë para objektit të Komunës së Dragashit.
Protesta do të mbahet nga ora 11:00, ndërsa qytetarët janë ftuar të bashkohen për të kërkuar zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme për problemin e furnizimit me ujë.
“Nuk po kërkojmë privilegj. Po kërkojmë një të drejtë elementare: Ujin!”, thuhet në thirrjen për protestë.
Në njoftim thuhet se është e papranueshme që qytetarët të paguajnë taksat dhe faturat, ndërsa të mos kenë ujë në shtëpitë e tyre për nevojat themelore.
Aliu konfirmon mungesën e ujit në Dragash
Menaxheri i KRU “Hidroregjioni Jugor”, Dega në Dragash, Izet Aliu, ka konfirmuar për Telegrafin se qyteti po përballet me mungesë të ujit.
“Unë si menaxher i njësisë së ujësjellësit në Dragash, me plot përgjegjësi konfirmoj se ka mungesë të ujit në Dragash. Qytetarët janë duke u përballur me mungesë të ujit, domethënë nuk po vjen sasi e mjaftueshme e ujit”, ka deklaruar Aliu.
Sipas tij, problemi lidhet me sasinë e ujit që vjen nga burimi i Radesha, prej nga Dragashi është furnizuar tradicionalisht.
“Mosardhja e ujit është si pasojë e pendës së krijuar nga fabrika e ndërtuar nga Komuna, e cila ujin e çon në fabrikën e re të përpunimit dhe shpërndahet në disa fshatra, jo vetëm të Topolës, por edhe të Gorës”, ka thënë Aliu.
Ai ka theksuar se sasia e ujit që aktualisht vjen nga burimi nuk është e mjaftueshme për furnizimin e qytetarëve të Dragashit.
“Që tash sasia që po vjen prej burimit atje nuk është e mjaftueshme për furnizimin e qytetarëve të Dragashit me ujë”, ka deklaruar ai.
Aliu ka thënë se problemi është bërë më i theksuar gjatë ditëve të fundit, kur është zvogëluar edhe sasia e ujit në burim.
“Problemi nuk është te Hidroregjioni Jugor”
Menaxheri i KRU “Hidroregjioni Jugor”, Dega në Dragash, ka sqaruar se problemi nuk qëndron te rrjeti apo te kapacitetet e kompanisë, por te sasia e ujit që po arrin në sistem.
“Nuk ka problem i furnizimit të Hidroregjionit Jugor. Problemi është që Hidroregjionit Jugor nuk po i vjen sasi e mjaftueshme e ujit për me i furnizu qytetarët”, ka thënë Aliu për Telegrafin.
“Ne, me sasinë ekzistuese, nuk mundemi me i furnizu qytetarët”, ka shtuar ai.
I pyetur për ankesat e qytetarëve dhe raportimet në mediat lokale se uji i Dragashit po bartet edhe në fshatrat e Opojës, Aliu ka konfirmuar se një pjesë e ujit nga burimi i Radesha shkon në fabrikën e përpunimit.
“Uji i Dragashit është e vërtetë që po bartet edhe në fshatrat e Opojës. Uji i lumit Radesha që vjen për Dragash, që është furnizuar Dragashi me atë ujë gjithmonë, një pjesë është duke ardhur në Dragash, pjesa tjetër është duke shkuar në fabrikën për përpunimin e ujit”, ka deklaruar Aliu për Telegrafin.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka informacion se cilat fshatra furnizohen nga kjo fabrikë.
“Se kush furnizohet nga ajo fabrikë, nuk jemi në dijeni, pasi nuk kemi qasje aty. Aty mundemi me kontaktu zyrtarët e komunës”, ka thënë Aliu.
Premtohet rritja e sasisë së ujit
Aliu ka bërë të ditur se zyrtarët e KRU “Hidroregjioni Jugor” kanë zhvilluar takime me zyrtarët e Komunës së Dragashit për të gjetur një zgjidhje urgjente.
“Për këtë problem sot zyrtarët e kompanisë Hidroregjioni Jugor kanë pasur takime me zyrtarët e Komunës së Dragashit dhe kanë kërkuar me e zgjidhë urgjentisht këtë problem të furnizimit të qytetarëve me ujë”, ka thënë ai.
Sipas Aliut, është premtuar se do të ndërmerren masa për rritjen e sasisë së ujit që dërgohet drejt Dragashit.
“Është premtuar se do të merren të gjitha masat sot për me rritë sasinë e ujit, me lëshu sasinë e ujit për me ardhë në Dragash për furnizim të qytetarëve”, ka deklaruar Aliu.
Telegrafi ka kontaktuar edhe Fari Kollonin, zyrtar për informim në Komunën e Dragashit, për të marrë qëndrimin e komunës lidhur me ankesat e qytetarëve dhe raportimet se uji që tradicionalisht furnizon Dragashin po përdoret edhe për furnizimin e fshatrave të Opojës, deri në publikimin e këtij artikulli, Kolloni nuk ka kthyer përgjigje. /Telegrafi/


