Dogana ndalon produkte medicinale për dobësim, malli ishte deklaruar si material kimik
Dogana e Kosovës ka identifikuar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave dhe tentimit për shmangie të procedurave doganore në Zyrën e Doganimit të Brendshëm në Aeroport.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit, zyrtarët doganorë kanë ngritur dyshime lidhur me përshkrimin dhe llojin e mallit të deklaruar si “Polycarboxylate Superplasticizer”.
Pas kontrollit fizik të pakos, është konstatuar se përshkrimi i deklaruar nuk përputhej me mallin e gjetur. Sipas Doganës, bëhej fjalë për produkte medicinale të destinuara për dobësim.
Sipas të dhënave të rastit, këto produkte nuk janë të aprovuara për qarkullim në treg, ndërsa për importimin e tyre kërkohet leje përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPPM).
Vlera e mallit, pa përfshirë detyrimet dhe taksat, është 1,775.90 euro.
Dogana ka bërë të ditur se nga veprimet e ndërmarra është evidentuar se pala kishte tentuar të shmangte kontrollin dhe procedurat doganore përmes ndryshimit të përshkrimit të mallit dhe deklarimit të të dhënave jo të sakta.
Sipas Doganës, qëllimi dyshohet se ishte shmangia e detyrimeve dhe lejeve të nevojshme për vendosjen e mallit në qarkullim të lirë.
Për rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse procedurale, ndërsa veprimet e palës janë trajtuar si kundërvajtje doganore, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave.
Dogana e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit, parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe kontrollin e mallrave që hyjnë në territorin e Kosovës. /Telegrafi/


