"Do taksoheni njëjtë sikur ju neve", Trump firmos memorandumin e tarifave reciproke
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka firmosur një memorandum që aktivizon tarifat reciproke dhe u ka kërkuar këshilltarëve të tij tregtarë të përllogarisin të gjitha taksat që vendet e tjera i vendosin Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky vendim, i cili ka të bëjë me rishikimin e politikave tregtare ndërkombëtare, mund të ketë një ndikim të madh në sistemin aktual tregtar dhe mund të nxisë një rishikim të marrëdhënieve tregtare globale.
Në deklaratën e tij nga Zyra Ovale, Trump theksoi se politika e re synon të korrigjojë atë që ai e cilëson si një padrejtësi në marrëdhëniet tregtare me shumë shtete.
“Çdo shtet që vendos tarifa ndaj Shteteve të Bashkuara do të marrë një tarifë të njëjtë në kthim. As më shumë, as më pak”, tha 78-vjeçari, duke theksuar se vendosja e tarifave të tilla është një mënyrë për të mbrojtur industrinë amerikane dhe punësimin e qytetarëve të SHBA-së.
Ai gjithashtu shtoi se ky është një proces i thjeshtë dhe i qartë për t’u zbatuar, shkruan CNN.
“Është shumë e thjeshtë. Askush nuk e di saktësisht se cili është numri. Nëse merrni çdo vend dhe shikoni sa po na taksojnë, në shumicën e rasteve ata po na ngarkojnë shumë më tepër se sa ne ata. Këto kohë tani kanë mbaruar”, u shpreh lideri amerikan, duke kritikuar politikat tregtare të mëparshme që ai beson se kanë dëmtuar interesat ekonomike të SHBA-së.
Ky veprim vjen në një kohë kur marrëdhëniet tregtare globale janë shoqëruar me tensione dhe pasiguri, përfshirë luftërat tregtare të vazhdueshme me shtete të mëdha si Kina, Bashkimi Evropian dhe Kanada.
Analistët e ekonomisë kanë parashikuar se aktivizimi i tarifave reciproke mund të sjellë një valë tjetër tensionesh në tregtinë ndërkombëtare, duke rritur mundësinë e një cikli të përshkallëzuar të tarifave dhe kundër-tarifave.
Gjithashtu, Trump ka kërkuar nga administrata e tij të rishikojë marrëveshjet tregtare ekzistuese dhe të sigurohet që ato të reflektojnë më mirë interesat e SHBA-së. Ky memorandum mund të shërbejë si një mundësi për të nxitur një reformë të gjerë të politikave tregtare amerikane, me qëllim që të sigurohet një balancë më e drejtë dhe e favorshme për ekonominë amerikane. /Telegrafi/


