Please enter at least 3 characters.

DnV për ditën e zgjedhjeve: Prej më të rregulltave që janë organizuar në historinë e re të Kosovës

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) më 09.06.2026 publikoi deklaratën preliminare për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Për ditën e zgjedhjeve DnV tha se ishte prej më të rregulltave që janë organizuar në historinë e Kosovës.

Eugen Cakolli bëri të ditur se DnV ka monitoruar procesin zgjedhor që nga fillimi i fushatës, administrimin e procesit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), diskursin e përdorur nga subjektet garuese, votimin brenda dhe jashtë vendit si dhe punën e mekanizmave të drejtësisë zgjedhore.

“Dita e zgjedhjeve u zhvillua në atmosferë të qetë dhe besojmë që kjo ditë e zgjedhjeve është prej më të rregulltave që janë organizuar në historinë e re të Kosovës si për nga numri i incidenteve serioze ashtu edhe për nga përmirësimi i mangësive të cilat i kanë karakterizuar zgjedhjet paraprake” – u shpreh ai.

“Procesi zgjedhor është administruar në mënyrë profesionale dhe efikase derisa votuesit kanë pasur mundësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë” – tha Cakolli.

Shumicën dërrmuese të operacioneve zgjedhore të administruar nga KQZ, Cakolli i cilësoi si profesionale dhe në përputhje me dispozitat ligjore.

Cakolli tha se zhvillimi më pozitiv në raport me administrimin e procesit zgjedhor ishte rënia e ndjeshme e numrit të votuesve me asistencë.

“Të dhënat e DnV-së tregojnë që respektimi më i rreptë e rigoroz i rregullave përkatëse zgjedhore ka kontribuar që të kemi rënie prej gati 100% të votuesve me asistencë” – tha ai.

Si të pabarabartë Cakolli e vlerësoi garën mes subjekteve politike si pasojë e vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për grupet e mëdha demografike.

“Sidoqoftë, problemi kryesor e më i ndjeshëm i kësaj fushate zgjedhore ishte pa dyshim çështja e barazisë së garës, e cila përbën shqetësimin kryesor të evidentuar në këtë proces zgjedhor. Vendimet e Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për grupe të mëdha demografike, përfshirë këtu studentët, personat që punojnë në sektorin privat, pensionistët, fëmijët e të tjerë, kanë krijuar një avantazh të padrejtë në raport me subjekte të tjera politike. Për më tepër, vendimi për ndarjen e mjeteve dhe për linjat ajrore të cilat sjellin mërgimtarë nga jashtë vendit, disa ditë para ditës së zgjedhjeve, është një prej vendimeve e cila ka cenuar në mënyrë më serioze këtë parimin e barazisë së garës dhe mundësisë së të gjithë palëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të të bërit fushatë” – shtoi ai.

Sa u përket mekanizmave të drejtësisë zgjedhore, ai aludoi në vetëdijesim të subjekteve garuese në zgjedhje pasi është evituar diskursi i ashpër i përdorur, por mangësi mbetet prania e fëmijëve në fushata.

“Gjatë periudhës së fushatës PZAP ka shqiptuar 26 mijë euro gjoba ndaj subjekteve politike për rastet e shkeljeve të Kodit të Etikës, një pjesë e madhe e të cilave lidhen edhe me pjesëmarrjen, përkatësisht praninë e fëmijëve në aktivitete të fushatës. Kjo tregon që subjektet politike ndonëse kanë shënuar përmirësim dhe progres sa i përket gjuhës së përdorur pasi që në zgjedhjet e kaluara ndër arsyet kryesore pse janë shqiptuar gjobat kanë qenë pikërisht gjuha nxitëse dhe e urrejtjes, tashmë ka përmirësim në këtë drejtim dhe ndër mangësitë kryesore shpesh edhe të vetme mbetet përdorimi i fëmijëve në fushatë dhe vendosja e posterëve në hapësira të palejuara” – tha ai.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, pas përfundimit të procesit të votimit në një konferencë për media bëri të ditur se “procesi është zhvilluar në mënyrë të rregullt, dhe nuk janë evidentuar incidente që do mund të cenonin integritetin apo mbarëvajtjen e përgjithshme”.

Ndërkohë po vijon procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Të dhënat mund t’i gjeni të publikuara në këtë LINK.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e 100 % të votave nga vendvotimet e rregullta të zgjedhjeve që u mbajtën me 07.06.2026

Sipas të dhënave zyrtare preliminare të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar pjesën më të madhe të votave në këto zgjedhje.

Nga ky proces i numërimit, LVV ka grumbulluar 42,91%, apo 299,152 vota.

E dyta radhitet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,12% apo 147,220 vota.

E treta është sërish Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila ka siguruar 17,58% të votave, respektivisht 122,575 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është renditur e katërta me 7,16% apo 49,917 vota.

Lista Serbe ka fituar 6,18% apo 43,071 vota.

Kjo përqindje nuk përfshin votat nga vendvotimet me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të votimit jashtë Kosovës.