Diplomacia njerëzore e konsulles Arrita Gjakova
Në ceremoninë e takimit lamtumirës ishin prezentë një numër i madh bashkëkombësish nga Suedia, midis të cilëve edhe ambasadori i Shqipërisë, Ruhi Hado.
Zëvendësambasadori i porsaardhur, Jetish Jashari, në emër të stafit të Ambasadës së Kosovës në Stokholm, i shprehu falënderim dhe mirënjohje konzulles Arrita Gjakova si dhe stafit duke theksuar se ambasada e Kosovës në Suedi arriti të bëjë një punë tejet të rëndësishme diplomatike.
Në emër komunitetit shqiptar, një Mirënjohje për punën e saj të palodhshme Arrita Gjakovës ia ndau veprimtari dhe publicisti i dalluar gjakovar në Suedi, Shqiptar Oseku.
Ai, me këtë rast para të pranishmëve tha se “Arrita Gjakova i takon brezit të parë të diplomatëve shqiptarë në Suedi dhe se ky brez i diplomatëve shkruan histori”.
Arrita së pari u detyrua të punonte në lokale të improvizuara, e mbajti Ambasadën në disa periudha edhe vetëm, në kohën kur për shkaqe të ndryshme nuk kishte staf tjetër në dispozicion.
Shqiptar Oseku pos tjerash tha se nën drejtimin e Lulzim Pecit e në bashkëpunim me Sedat Burrnikun, Arrita ia ka zbardh fytyrën Kosovës dhe kombit shqiptar. “Ajo është një shembull fantastik i gruas së përkushtuar, profesioniste e në shërbim të atdheut: të thuash sa dhjetë burra, pak më duket”, tha ai.
Shqiptar Oseku tha se largimi i Arritës e le një boshllëk në Stokholm, por ai mund të jetë me fitim për Kosovën, nëse shfrytëzohen resurset e saj në mënyrë të duhur. “Uroj që njerëzit ta kuptojnë vlerën e saj”, theksoi Oseku.
Fjalë mirënjohëse për punën mjaft të suksesshme të Arrita Gjakovës në Stokholm tha edhe ambasadori i Shqipërisë, Ruhi Hado. Hado, që në mesin e bashkëkombësve në Suedi, gëzon një respekt të veçantë, foli për ditët e para dhe punën e bashkëpunimin që është bërë për stabilizimin e stafit diplomatik të Kosovës.
Ai, pos tjerash, në fjalimin e tij duke iu falënderuar Arritës për bashkëpunim e angazhim të suksesshëm në punën e saj, tha se “Arrita Gjakova është një shembull se si punohet në shërbim të diplomacisë së mirëfilltë”.
Ndërkaq vetë Arrita Gjakova, duke dashur të flasë e të falënderoj bashkëkombësit dhe ata që e ndihmuan, u ndërpre nga lotët e saj, pas fjalëve aq të mira të thëna për te, por pas një pauze të shkurtër mblodhi forcën dhe foli.
Ajo, pos tjerash kujtoi natën e parë e të dytë të ardhjes në Stokholm e ku në ato qaste iu ofrua ndihma dhe përkrahja e pakursyer nga ambasadori i Shqipërisë Ruhi Hado si dhe ish ambasadori i Maqedonisë në Suedi, Agon Demjaha.
Ajo me fjalët më të mira iu falënderua bashkëkombësve të shumtë e familjeve të shumta që e ndihmuan që në ditët e para e deri me sot. “Të gjithë do të më mbeteni miq të mij të përhershëm”, tha Arrita.
Ajo veçmas iu falënderua në emër të krejt Kosovës veprimtarit, Shqiptar Oseku për punën dhe kontributin e tij si dhe për mirënjohjen që ai ia ndau asaj.
“Unë kur kam ardhë këtu kam qenë shumë e pakënaqur për shkak se i kam takue botës gjermonofolëse, jam profesoreshë e gjuhës gjermane dhe juriste dhe kam mendue se kontributi im është shumë më i vlefshëm për Kosovën nëse unë shkoj në Gjermani në Berlin, mirëpo tani jam shumë e lumtur që kam jetue në një botë kaq të mrekullueshme siç është Skandinavia. Këtë ua kam thënë edhe homologëve, edhe çdo institucioni suedez me të cilët kam pas punë të përditshme e ato janë institucionet vitale të shtetit suedez edhe jam shumë falënderuese që na edhe jo vetëm që kemi punue me ta ngushtë, po edhe u kemi dhanë nga një lëvdatë. Këtë duhet me e dijtë edhe ju sepse të gjithë jeni të lidhur me ndonjë aktivitet të rëndësishëm dhe punoni. Shumica prej juve që ju njoh jeni shumë mirë të integruar, përndryshe ju kam lëvduar çdokund ku kam shkue si diasporë për arsye se më keni mahnitë me integrimin e juaj. Secili fëmijë që ka ardhë këtu, secila familje që ka ardhë këtu, ka folë suedisht shumë mirë kështu që në krahasim me diasporat tjera, jeni shumë mirë të inkuadruar në shoqërinë suedeze. I falënderoj bashkëkombësit për krejt atë që kanë bërë edhe në emër të diplomatëve të deritanishëm në Stokholm Lulzim Pecit e Sedat Burrnikut”, tha Arrita Gjakova.
Ky ishte stafi i parë diplomatik i Republikës së Kosovës në Skandinavi pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran.
Përndryshe hapat e parë dhe të suksesshëm në vënien e themeleve të diplomacisë kosovare në Suedi u bënë qysh me fillimin e punës së Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Stokholm udhëheqës i së cilës ishte profesor doktor Shaqir Shaqiri, diplomat që me mjaft sukses në kohë mjaft të vështira arriti të dal në mbrojtje të vlerave kombëtare e politike të shqiptarëve duke arritur të vë në lëvizje dhe t’i legjitimojë kërkesat e drejta të shqiptarëve për liri e pavarësi si dhe të vejë një komunikim të rëndësishëm me shtetin suedez dhe me bashkëkombësit këtu në Suedi.
Së shpejti në Stokholm pritet të vijë edhe ambasadori i ri i Kosovës Ilir Dugolli i cili është në pritje te miratim të tij nga shteti suedez. /Zëri/


