Detaje të tjera rreth sulmit që la katër të vdekur dhe 20 të plagosur në një shkollë në Turqi
Një sulm me të shtëna armësh në një shkollë në Turqinë jugore të mërkurën la katër të vdekur dhe 20 të plagosur, tha një zyrtar lokal, vetëm një ditë pas një incidenti në të cilin një person i armatosur plagosi 16 persona dhe më pas vrau veten.
Guvernatori i provincës Kahramanmaraş, Mükerrem Ünlüer, tha se një mësues dhe tre nxënës u vranë në sulmin në Shkollën e Mesme Ayser Çalık.
"Një nxënës erdhi në shkollë me armë që ne besojmë se i përkisnin babait të tij - në çantën e shpinës. Ai hyri në dy klasa dhe hapi zjarr rastësisht, duke shkaktuar lëndime dhe vdekje", u tha Ünlüer gazetarëve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Dëshmitarët e cituar nga media thanë se të shtënat e dëgjuara në shkollë ishin intensive.
Dhe sigurisht, pas kësaj, prindërit që dëgjuan për incidentin nxituan në shkollë.
Policia ka rritur masat e sigurisë rreth ndërtesës, dhe imazhet e publikuara në rrjetet sociale treguan ambulanca të pranishme në zonë.
Ministri i Drejtësisë Akin Gurlek tha se zyra e prokurorit lokal nisi një hetim të menjëhershëm për të shtënat.
Sulmi i së mërkurës vjen një ditë pasi një ish-nxënës hapi zjarr në ish-shkollën e tij të mesme në Siverek në provincën jugore Şanlıurfa, duke plagosur 16 persona përpara se të vriste veten në një përleshje me policinë, thanë zyrtarët.
Sulmi la 10 nxënës, katër mësues, një punonjës mense dhe një oficer policie të plagosur, tha Guvernatori Hasan Şıldak.
"Individi u rrethua brenda ndërtesës për shkak të ndërhyrjes së policisë dhe vdiq pasi qëlloi veten", u tha Şıldak gazetarëve, duke shtuar se do të kryhet një hetim "gjithëpërfshirës" për të shtënat. /Telegrafi/


