Derbi lokal në kryeqytet
Që të dyja skuadrat janë duke luftuar për titullin e kampionit dhe përballja mes tyre pritet të jetë tejet interesante.
Prishtina ndodhet në pozitën e dytë në tabelë ndërsa Hajvalia në të pestën dhe nuk i lejohet humbje pasi në të kundërtën do të mbetej shumë mbrapa garës për titull.
Për Labinot Osmanin, kjo do të jetë ndeshje e veçantë, pasi do të luaj kundër ish-trajnerit të tyre, Ismet Munishi, me të cilin u shpall kampionë me Llamkos Kosovën, sezonin e kaluar.
“Mendoj se do të jetë një lojë e mirë dhe interesante për shikues dhe le të fitojë ai që është më i mirë. Normal, kemi motiv shtesë, sepse luajmë kundër ish-trajnerit dhe disa ish-bashkëlojtarëve dhe mendoj se do të jetë një lojë e mirë dhe s’do ta kemi aspak të lehtë”, deklaroi sulmuesi Osmani për uebfaqen e klubit.
Ndërkohë Arbër Prekazi i Hajvalisë, ka thënë për Telegrafin se ndeshja ndaj Prishtinës është tejet e rëndësishme për skuadrën e tij dhe se nuk janë dorëzuar sa i përket luftës për titull.
“Ndeshja ndaj Prishtinës është e rëndësishme si për ne ashtu edhe për ata. Prishtina ka një skuadër tejet cilësore dhe ne jemi të përgatitur mjaftë mirë për këtë përballje. Edhe ne i kemi anët tona të forta dhe do të mundohemi t’i shfrytëzojmë ato që të afrohemi përsëri në luftën për titull”.
“Ne asnjëherë nuk do të dorëzohemi për titull. Gjithmonë mendojmë që shpejt do ta kapim formën më të mirë që të hyjmë në seri të gjatë të fitoreve. Gjithashtu është fat që në një ndeshje të fortë si kjo do të jetë një gjyqtar si Besfort Kusumi”, tha Prekezi për Telegrafin.
Ndërkohë të shtunën luhet edhe ndeshje në Skënderaj, ku lideri Ferronikeli pret Dritën e Gjilanit e cila po lufton për mbijetesë.
Të dielën luhen edhe katër ndeshje të tjera, ndërsa vëmendja më e madhe është në derbin lokal mes Trepçës `89 dhe Trepçës.
Interesant pritet të jetë edhe ndeshja e dy ekipeve nga rrafshi i Dukagjinit ku Besa pret Istogun, ndërsa në Gjakovë, Vëllaznimi është nikoqir i Ferizajt.
Ndeshja mes dy skuadrave nga mesi i tabelës zhvillohet në Vushtrri, ku Kosova e Vushtrrisë pret Drenicën. /Telegrafi/
Orari dhe gjyqtarët
E shtunë
Prishtina – Hajvalia
(B.Kosumi, S.Berisha, F.Berisha, G.Shala)
Feronikeli – Drita
(G.Nuza, B.Morina, E.Baliqi, T.Maloku)
E diel
Besa – Istogu
(K.Vula, Këpuska, M.Qehaja, S.Isufi)
Vëllaznimi – Ferizaj
(B.Jahmurataj, D.Preniqi, F.Sekiraqa, I.Kelmendi)
Kosova (V) – Drenica
(F.Tahiri, L. Muhadri, I.Kabashi, I.Ceroviku)
Trepça ‘89 – Trepça
(H.Hajdari, J.Musolli, K.Bajrami, M.Baliu)
(Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 14:00)


