Dardanët kërkojnë falje: Nuk mundëm t'i përmbushim gjitha kërkesat, të gjithë në stadium me ngjyrat e Kosovës
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen finale të Play-Off për Kampionatin Botërorë kundër Turqisë me fillim nga ora 20:45.
Interesimi për të parë këtë ndeshje nga shkallët e stadiumit ka qenë jashtëzakonisht i madh, pasi nuk ka njeri në vendin tonë që nuk do të jetë prezent në Fadil Vokrri, por fatkeqësisht kapaciteti i stadiumit është vetëm 13,980 ulëse.
Dardanët kanë dalë me njoftim duke kërkuar falje që nuk kanë mundur t'i përmbushin gjitha kërkesat e tifozëve.
Gjithashtu tifo grupi i Kosovës ka bërë thirrje që të gjithë të pranishmit në stadium të jenë me simbole të Kosovës, shalla, duksa dhe flamuj.
Njoftimi i plotë nga Dardanët:
Ndjejmë keqardhje të thellë që nuk kemi arritur t’u përgjigjemi të gjithë të interesuarve për t’u pajisur me bileta për finalen e madhe Kosovë – Turqi.
Kërkojmë sinqerisht falje që nuk kemi mundur t’i përmbushim të gjitha kërkesat e panumërta, me mijëra të tilla, që tejkaluan çdo pritshmëri të imagjinueshme.
Kjo kërkimfalje është e ndier, sepse na vjen keq për secilin prej jush që shprehu dëshirën për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje madhore për vendin tonë, por që, fatkeqësisht, nuk do të mund të jetë i pranishëm. Megjithatë, ky është kapaciteti i sektorit të tribunave që mbulojmë ne; nuk kemi mundësi as ta zgjerojmë dhe as të bëjmë të pamundurën. Ju lutemi për mirëkuptim dhe besim se, brenda përgjegjësive tona, kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë maksimumin.U bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë atyre që kanë paguar anëtarësimin vjetor të qëndrojnë të qetë, pasi biletat i kanë të garantuara.
Sot, duke filluar nga ora 17:30, mjafton të paraqiten te Fan Club-i ynë me kartelën e anëtarësimit vjetor. Vetëm në këtë mënyrë, Policia e Kosovës do të lejojë hyrjen në ambientet e Fan Club-it, ku më pas do të bëhet edhe tërheqja e biletës.Prandaj, nuk është e nevojshme që ju, posedues të këtyre kartelave, të krijoni tollovi apo situata kaotike, pasi gjithçka është e organizuar për të rrjedhur sipas planit.Gjithashtu, nëse dikush mendon se misioni përfundon me ardhjen në stadium, gabon rëndë.
Sot, përgjegjësinë për mbarëvajtjen e ndeshjes duhet ta ndiejmë të gjithë, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në mbështetjen e pakursyer ndaj ekipit tonë kombëtar. Duhet të motivojmë dhe të shtyjmë përpara futbollistët tanë drejt suksesit kulminant.Secili prej nesh duhet të japë më shumë se në ndeshjet e kaluara. Secili duhet të ndihet i përfshirë dhe të kontribuojë me kapacitetet e veta në organizim. Secili duhet të ngjitet në shkallët e stadiumit me vendosmëri dhe energji të pashtershme. Secili duhet të mbajë mbi vete përgjegjësinë e përbashkët për ta jetësuar ëndrrën tonë.
Secili duhet të jetë aktiv, jo pasiv.Dhe, mbi të gjitha, sot secili duhet të vishet me ngjyrat e Kosovës: me shall, bluza apo duksa kombëtare. Me besim në Zot dhe me besën shqiptare, sot toka dhe qielli do të ushtojnë nga stuhia dardane!Çdo zemër dhe mendje e pastër shqiptari bashkëndien dhe frymon me futbollistët e artë të Kombëtares së Kosovës në këto orë vendimtare. Lutjet dhe uratat tona janë vetëm për ta.


