Please enter at least 3 characters.

CSL kërkon nga Supremja shfuqizimin e Rregullores për pranimin në shërbimin civil

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ka paraqitur padi në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke kërkuar shfuqizimin në tërësi të Rregullores nr. 07/2025 për procedurën e pranimit në shërbimin civil.

Sipas CSL-së, rregullorja, e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 5 qershor 2025 dhe që pritet të hyjë në fuqi më 9 janar 2026, është në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe përmban dispozita që cenojnë parimet e përcaktuara me Ligjin për Zyrtarët Publik.

Në padi argumentohet se miratimi i këtij akti nënligjor është bërë në një periudhë kur Qeveria ishte në detyrë, ndërsa kryeministri dhe një pjesë e ministrave ishin certifikuar tashmë si deputetë të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Sipas paditësit, kjo përbën një element të rëndësishëm për vlerësimin e ligjshmërisë së rregullores.

Për më shumë lexoni të plotë njoftimin e CLS-së:

Padi për shfuqizimin e Rregullores për procedurën e pranimit në shërbimin civil

Me këtë Padi, CSL ka kërkuar nga Gjykata që në tërësi të shfuqizojë Rregulloren nr. 07/2025 për procedurën e pranimit në shërbimin civil, e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më datë 5 qershor 2025 dhe në fuqi nga data 9 janar 2026.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike si platformë e dedikuar për mbrojtjen e interesit publik në fushën e të drejtave të punës, përmes kësaj Padie ka argumentuar që Rregullorja e lartcekur bie në kundërshtim të plotë me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe se disa nga dispozitat e saj kanë cenuar parimet e Ligjit për Zyrtarët Publik.

Në raport me Ligjin për Qeverinë, si Paditës vlerësojmë që miratimi i kësaj Rregulloreje në kohën kur Qeveria ka qenë në detyrë, paraqet element kyç për shfuqizimin e këtij akti, pasi pjesa më e madhe e ministrave dhe vetë Kryeministri kanë qenë të certifikuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Tashmë e konfirmuar edhe me praktikën gjyqësore, Gjykata Supreme ka shfuqizuar akte nënligjore normative të miratuara nga zyrtarët që ushtrojnë njëkohësisht funksione ekzekutive dhe legjislative, duke e konsideruar këtë rrethanë si shkelje të neneve 70.2 dhe 71 të Kushtetutës dhe cenim të parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve.

Përveç pengesës ligjore dhe cenimit të parimeve kushtetuese, disa nga dispozitat e kësaj Rregulloreje bien në kundërshtim edhe me frymën e transparencës së proceseve rekrutuese në shërbimin civil të përcaktuar me Ligjin për Zyrtarët Publik (LZP). Këto dispozita ndalojnë publikimin e çfarëdo të dhëne për kandidatët që aplikojnë dhe për ata që e kalojnë fazën e verifikimit paraprak, kurse kufizojnë publikimin e listës përfundimtare vetëm me numër unik të kandidatëve.

Si Paditës, vlerësojmë që mos publikimi ose kufizimi i publikimit të të dhënave të kandidatëve për këto pozita, cenon parimet mbi të cilat duhet të zhvillohen proceset e pranimit në punë të zyrtarëve publik dhe interesin publik në raport me këta kandidatë.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) pret që Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konform kompetencave të saj të aprovojë këtë Padi dhe që të shfuqizojë Rregulloren e lartcekur, duke rikonfirmuar kështu praktikën e saj në raport me vlerësimin e ligjshmërisë së akteve nënligjore normative të kësaj natyre dhe duke i kontribuar kështu mbrojtjes kushtetuese dhe ligjore të të drejtave të punës, me theks të veçantë për shërbyesit civil.