Britania dhe Finlanda: Media e lirë, kusht për qeverisje të mirë në Kosovë
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe Ambasada e Finlandës në Kosovë kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për lirinë e medias në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e gazetarisë së pavarur në forcimin e demokracisë.
Në një deklaratë të përbashkët, ambasadat kanë vlerësuar rolin e mediave të lira në funksionimin e institucioneve demokratike dhe në luftën kundër dezinformimit.
“Një media e fortë dhe e pavarur, që pasqyron zëra të ndryshëm lokalë, është shtylla e demokracisë, llogaridhënies dhe stabilitetit afatgjatë të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Ato kanë theksuar gjithashtu se qasja në informacione të besueshme është thelbësore për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe për forcimin e besimit në institucionet publike.
“Qasja në informacione të besueshme mbështet pjesëmarrjen e informuar, besimin në institucionet publike dhe qeverisjen efektive”, theksohet më tej.
Ambasadat kanë vlerësuar edhe rolin e institucioneve rregullatore dhe shoqërisë civile në ruajtjen e standardeve profesionale në media, duke i cilësuar si faktorë të rëndësishëm për pavarësinë dhe integritetin e gazetarisë.
“Rregullatori i medias në Kosovë dhe akterët e shoqërisë civile kanë një rol kyç në ruajtjen e këtyre parimeve përmes pavarësisë dhe profesionalizmit të tyre”, thuhet në deklaratë.
Si bashkëkryesuese të Koalicionit për Lirinë e Medias, Mbretëria e Bashkuar dhe Finlanda kanë theksuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin me partnerët në Kosovë dhe në botë për të mbështetur gazetarinë në shërbim të publikut dhe për të forcuar rolin e saj në shoqëri.
“Do të vazhdojmë të punojmë me partnerët në Kosovë dhe në mbarë botën për të forcuar gazetarinë në interes të publikut dhe për të mbështetur gazetarët që kontribuojnë në një shoqëri të informuar dhe të qëndrueshme”, përfundon deklarata. /Telegrafi/


