Besa Shahini nga PSD shpall kandidaturën për kryetare të Komunës së Prishtinës
Besa Shahini ka shpallur kandidaturën e saj për kryetare të Prishtinës.
Shahini e cila është pjesë e Partisë Socialdemokrate, ka njoftuar zyrtarisht për kandidimin e saj në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.
"Një përpjekje e re, për Prishtinën që e dua fort. Para katër viteve jam kthyer të jetoj nga Tirana në një qytet që ka potencial të jashtëzakonshëm, por që ka marrë një kahje të gabuar në zhvillim e vet. Është një qytet krejtësisht i mbuluar me beton, pa hapësira të mjaftueshme të gjelbërta, kryesisht i papastër", ka pohuar Shahini.
Sipas saj, Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahun e zhvillimit.
"Ju ftoj të më bashkoheni që keni sadopak energji në përpjekjen për ndryshim”, ka thënë Shahini në një videoadresim.
Më parë, Besa shërbeu si ministre dhe zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë në Republikën e Shqipërisë.
Po ashtu, Besa fokusoi kërkimin dhe avokimin e saj në çështjet e arsimit dhe integrimit në BE në Ballkanin Perëndimor dhe Kaukazin Jugor. /Telegrafi/


