Bashkia e Himarës ngre alarmin: Reshje të dendura dhe stuhi gjatë së premtes
Pas Bashkisë së Vlorës, edhe Bashkia e Himarës ka lëshuar një paralajmërim për përkeqësimin e pritshëm të kushteve atmosferike gjatë ditës së premte, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të tregojnë kujdes të shtuar.
Në njoftimin e publikuar nga Bashkia Himarë thuhet se, bazuar në parashikimet më të fundit meteorologjike, territori i bashkisë pritet të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm, i shoqëruar me reshje shiu, shtrëngata dhe stuhi lokale.
Sipas autoriteteve lokale, në intervale të shkurtra kohore, fenomenet atmosferike mund të marrin intensitet të lartë, duke rritur rrezikun për probleme në zona të caktuara.
Për këtë arsye, Bashkia e Himarës u ka bërë apel qytetarëve, bizneseve dhe turistëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë përkeqësimit të motit dhe të respektojnë rekomandimet e autoriteteve.
Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar të mos qëndrojnë pranë përrenjve, zonave me rrezik përmbytjeje apo pranë pemëve të larta, për shkak të mundësisë së erërave të forta dhe reshjeve intensive.
Bashkia ka bërë të ditur se strukturat e Mbrojtjes Civile do të jenë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës në terren dhe do të informojnë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm, në varësi të ecurisë së kushteve atmosferike.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse, me qëllim shmangien e rreziqeve që mund të shkaktohen nga moti i paqëndrueshëm.


