Barcelona gati të shesë yllin e madh për të transferuar Julian Alvarez
Barcelona është gati të bëjë një sakrificë të madhe në afatin kalimtar për të realizuar një nga transferimet më të bujshme të verës.
Pas arritjes së marrëveshjes me Anthony Gordon nga Newcastle për 70 milionë euro plus 10 milionë të tjera në formë bonusesh, drejtuesit katalanas nuk kanë ndërmend të ndalen dhe tashmë objektivi kryesor mbetet Julian Alvarez.
Sulmuesi argjentinas konsiderohet si zgjedhja ideale e Hansi Flick për të zëvendësuar Robert Lewandowskin, i cili pritet të largohet nga “Camp Nou” në fund të kontratës së tij.
Vetë Alvarez shihet me dëshirë të madhe brenda klubit blaugrana, por pengesa kryesore vazhdon të jetë Atletico Madridi, që nuk pranon të negociojë nën shifrën e 150 milionë eurove.
Për të siguruar fondet e nevojshme për këtë operacion, Barcelona është e gatshme të heqë dorë nga një prej talenteve më të rëndësishëm të skuadrës, Fermin Lopez.
Mesfushori spanjoll ka zhvilluar një sezon fantastik dhe paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha të Ligës Premier, mes tyre Manchester United dhe Chelsea.
Sipas raportimeve, katalanasit synojnë të arkëtojnë rreth 100 milionë euro nga shitja e lojtarit të dalë nga La Masia, edhe pse largimi i tij do të konsiderohej një humbje e ndjeshme për tifozët dhe projektin sportiv të klubit.
Barcelona beson se vetëm përmes një shitjeje të madhe mund të finalizohet transferimi i Julian Alvarez, i cili shihet si lideri i ri i repartit ofensiv për sezonet e ardhshme.
Drejtuesit blaugrana janë të bindur se profili i sulmuesit argjentinas përshtatet në mënyrë perfekte me filozofinë e Flick, falë presionit të lartë, lëvizjeve inteligjente dhe instinktit të tij para portës.
Tashmë pritet që javët e ardhshme të jenë vendimtare për të ardhmen e Fermin Lopez dhe për mundësinë që Julian Alvarez të transferohet në “Camp Nou”, në atë që mund të shndërrohet në një nga operacionet më spektakolare të afatit kalimtar veror. /Telegrafi/


