Bajram Rexhepi: Tetova për momentin është e pashpresë, ndërsa BDI është e konsoliduar si asnjëherë më parë
Nënkryetari i BDI-së Bajram Rexhepi, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo, me të cilin kemi diskutuar për zgjedhjet lokale, qeverinë aktuale, si dhe BDI-në në opozitë. Rexhepi flitet si kandidati i mundshëm i BDI-së për Komunën e Tetovës, ndërsa ku e pyetëm tha se ende janë në fazën e analizës së opinionit publik dhe uk kanë marrë vendime për kandidatët për zgjedhjet lokale.
Rexhepi gjithashtu tha se BDI është e konsoliduar si asnjëherë më parë dhe pret që të fitojnë të gjitha komunat ku do të garojnë.
"BDI ende nuk ka vendos për kandidatët, jemi në fazë të analizës së opinionit publik dhe varësisht prej kandidatëve si do të rezultojnë në anketa ne do të vendosim, jo për Tetovën por edhe për komunat tjera. Rezultatet janë shumë të mira, në Tetovë fitojmë edhe me shumë kandidatë tjerë, por do të presim se si do të vendosin organet partiake".
"Pres që t'i fitojmë të gjitha komunat. E kam thënë disa herë se VLEN-i mund të fitojë maksimum 1 ose 2 komuna, ose mund ët mbetet edhe pa asnjë komunë. Jam i bindur se do të thellohet më shumë dallimi mes nesh edhe VLEN-it".
"BDI është e konsoliduar si asnjëherë më parë dhe e shoh se njerëzit mezi presin ta shprehin këtë në zgjedhje. Kemi bërë gabim dhe gabimet janë njerëzore. E rëndësishme është se në orientimet strategjike nuk kemi pasur gabime. Kemi qenë të fokusuar që fillimisht të zgjidhim çështjet ndëretnike, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në BE, që të mund të sjellim mirëqenien tek qytetarët. Kemi plan zhvillimor shumë të qartë. Por kjo strukturë aktuale qeverisëse po na kthen shumë mbrapa", tha mes tjerash Rexhepi.
Kurse sa i përket qeverisë aktuale, ai tha se shqiptarët që ndodhen tani në qeveri nuk kanë fuqi vendimmarrëse dhe se këtë BDI e ka paralajmëruar para zgjedhjeve.
"Ne që para zgjedhjeve iu treguam shqiptarëve se çfarë do të ndodh. Kishim informacione se çfarë përgatitet. Rezultati shihet sot. E shohim se është qeveri monoetnike në kuptimin e vendimmarrjes. Shqiptarët që janë në qeveri nuk kanë asnjë fuqi vendimmarrëse. Ballafaqohemi me qeveri e cila na përbuz dhe na nënçmon çdo ditë. Nuk e di a ka kaluar ndonjë ditë e vetme pa skandal. Nuk kemi mendoj 1 deri 2 përqind punësim të shqiptarëve dhe kjo është e qëllimshme. Ne u ballafaquam me një propagandë të fuqishme nga OBRM-PDUKM e cila thoshte se BDI është e kriminalizuar, gjë që nuk është e vërtetë, por ishte pjesë e programit të tyre që ta realizojnë sloganin e tyre "ta kthejmë Maqedoninë te maqedonasit"", tha Rexhepi.
E pyetëm edhe nëse do të ishte në krye të Tetovës, çfarë do të vepronte fillimisht, ndërsa i u ndal te ajo se si duket tani qyteti i Tetovës.
"Tetova më duket si sorkadhja që është sulmuar nga një grup hienash që kanë filluar ta hanë për së gjalli. Tetova ndihet e sulmuar, e tradhtuar, e grabitur, e pashpresë dhe kjo do të reflektohet në zgjedhjet lokale. Ndodh tragjedi e vërtetë me ndërmarrjet publike, po privatizohet çdo gjë, ndriçimi publik, ndërmarrja me mbeturinat. Janë shitur prona gjithandej për vlera minimale. Dhe nëse qytetarët vendosin që ne të menaxhojmë me Komunën e Tetovës, puna e parë do të jetë të krijohet strukturë stabile e cila e sheh Tetovën si qytetin e tyre, e jo si plaçkë lufte".
"Sa i përket Kodrës së Diellit duhet të ketë bashkëpunim në mes pushtetit lokal dhe qendror. Është projekt që do ta vë në lëvizje të gjithë ekonominë e Tetovës. Ai projekt do të vë në lëvizje 20-30 veprimtari tjera. Bansko vitin e kaluar ka pasur 300 milion euro të hyra. Kodra e Diellit nuk do të zhvillohet vetëm për stinën e dimrit, por gjatë gjithë vitit", tha Rexhepi mes tjerash./Telegrafi/


