Please enter at least 3 characters.

ASK: Fatime emri më i shpeshtë dhe Krasniqi mbiemri më i përhapur

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin tematik për “Emrat dhe Mbiemrat në Kosovë”. Të dhëna këto të dala nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos) 2024.

Sipas njoftimit thuhet se me publikimin e këtyre të dhënave, përdoruesve u ofrohet një pasqyrë e detajuar mbi emrat dhe mbiemrat më të shpeshtë në Republikën e Kosovës, si dhe shpërndarjen e tyre territoriale sipas komunave, bazuar në popullsinë rezidente sipas Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos) 2024

"Sipas të dhënave të dala nga Regjistrimi i Popullsisë (ReKos 2024) emri më i shpeshtë në Kosovë është emri i gjinisë femërore FATIME me gjithsej 6 339 persona që përfaqësojnë 0,40 % të popullsisë rezidente", thuhet në raport.

Ndërsa, sa u përket mbiemrave, mbiemri më i përhapur ishte mbiemri KRASNIQI me gjithsej 50 236 persona, që përfaqësojnë 3,17 % të popullsisë rezidente.

Për më shumë informata lidhur me të dhënat “Emrat dhe mbiemrat në Kosovë”, ReKos 2024, vizitoni: https://ask.rks-gov.net/Themes/Registrations. /Telegrafi/