Arsenali nuk ka fat, mbetet jashtë (Video)
Ndeshja e parë e zhvilluar në Emirates, përfundoi me rezultat 3-1 në favor të skuadrës franceze dhe pas ndeshjes kthyese, Monaco kualifikohet në çerekfinale falë një goli më shumë në terren mysafir (3-3).
Duke pasur parasysh rezultatin nga përballja e parë, Topçinjtë u angazhuan në këtë sfidë që nga minuta e parë në përpjekje që t’i ndryshonin gjërat.
Mysafirët dominuan në posedim, kontrollim dhe në krijimin e shanseve, mirëpo skuadra franceze arriti të mbrohej në mënyrën e vet defensive të lojës.
Por kjo zgjati deri në minutën e 36-të. Olivier Giroud pranoi një pasim të mirë të Welbeck, tentativën e tij të parë e mbrojti portieri Subasic, por paksa me fat francezit i doli topi përpara dhe dërgoi në portë.
Topçinjtë e dominuan tërësisht fraksionin e dytë të lojës duke krijuar shumë raste, por arritën të realizonin vetëm një herë.
Goditja e Walcott përfundoi në shtyllë, por mbrojtja vendase e dërgoi topin vetëm deri tek Aaron Ramsey, i cili e realizoi golin e dytë (79').
Përkundër rasteve të shumta deri në fund të ndeshjes, Arsenali nuk arriti ta shënonte golin që e kualifikonte në çerekfinale, ashtu që në fazën tjetër shkoi Monaco. /Telegrafi/


