Please enter at least 3 characters.

Arrestohet një person për manipulim me prova pas vdekjes së një punëtori në Pejë

Një person është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprat penale “Manipulimi me prova” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në kuadër të hetimeve për vdekjen e një punëtori në një vendpunishte në fshatin Gllaviqicë të Pejës.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, arrestimi është realizuar sot nga Policia e Kosovës pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara në koordinim me Drejtorinë Rajonale të Hetimeve në Pejë. Rasti lidhet me vdekjen e një punëtori më 29 prill 2026.

Ndërkohë, ndaj një familjari të të pandehurit po zhvillohen hetime për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

Prokuroria Themelore në Pejë theksoi se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e sigurisë së punëtorëve dhe ndjekjen penale të personave që cenojnë sigurinë në vendet e punës./Telegrafi/