Arbërie Nagavci tregon ofertën që Vetëvendosje i bëri LDK-së
Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi se partia e saj me vite është angazhuar që të jetë alternativa e vërtetë për vendin. Ajo tha se janë të gatshëm për kompromise në interes të qytetarëve, por jo dhe të grupeve klienteliste.
Duke kujtuar zgjedhjet e fundit të vitit 2017, Nagavci përmes një postimi në Facebook, tha se Vetëvendosje e vetme e mundi koalicionin e LDK-së me katër parti të tjera. Ajo më tej tha se në ç’kapjen e shtetit nga “Klani Pronto” nuk mund të udhëheq LDK-ja.
“Në zgjedhjet e parafundit, në qershor 2014, ne u tradhtuam, kur pas VLAN-it, LDK shkoi me PDK-në duke shkelur marrëveshjen e 10 shtatorit 2014. Ne nuk mund të lejojmë të tradhtohemi sërish, dhe do të fitojmë këto zgjedhje, sepse qytetarët e duan ndryshimin e vërtetë. Në ç’kapjen e shtetit nga Klani Pronto nuk mund të udhëheq LDK”, tha ajo.
Nagavci foli edhe për ofertën që Lëvizja i ka bërë LDK-së, duke thënë se është për dy mandate dhe me rotacion për pozitën e kryeministrit.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk po kërkon vetëm ardhjen në pushtet, por një kërkim bashkëpunimi strategjik për së paku dy mandate. Kjo është oferta që i kemi bërë tash sa muaj LDK-së. Ne kemi propozuar rotacion në marrjen e përgjegjësisë, ashtu që në mandatin e parë qeverisës kabineti qeveritar do të udhëhiqej nga i nominuari i Vetëvendosjes, përderisa mandati i dytë t’i takonte LDK-së”, tha ajo.
Postimi i plotë:A mund të paramendoni një qeverisje krejtsisht ndryshe, një qeverisje e cila garanton angazhim kundër krimit, korrupsionit e për çkapje të shtetit, për zhvillim ekonomik e përmirësim të cilësisë në arsim e në sistemin e shëndetësisë dhe atë jo për një mandat ose më pak, por për dy mandate së paku? Ne, duhet jo vetëm të guxojmë të besojmë, por këtë ta bëjmë të mundshme.Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk po kërkon vetëm ardhjen në pushtet, por një kërkim bashkëpunimi strategjik për së paku dy mandate. Kjo është oferta që i kemi bërë tash sa muaj LDK-së. Ne kemi propzuar rotacion në marrjen e përgjegjësisë, ashtu që në mandatin e parë qeverisës kabineti qeveritar do të udhëhiqej nga i nominuari i VETËVENDOSJES!, përderisa mandati i dytë t’i takonte LDK-së.


