Apel për vizitorët e Bjeshkëve të Junikut: Mbeturinat t’i hedhin në kontejnerë
Shoqata Bjeshkatare “Rrasa e Zogut” u ka bërë apel qytetarëve dhe vizitorëve që frekuentojnë Bjeshkët e Junikut që mbeturinat t’i hedhin brenda kontejnerëve dhe jo pranë tyre.
Në një postim në rrjetin social Facebook, shoqata ka shprehur shqetësimin për hedhjen e mbeturinave në tokë, edhe në rastet kur në kontejnerë ka hapësirë të mjaftueshme.
“Mesazhi ynë është ta mbrojmë natyrën, sepse është e jona, e të gjithë neve”, thuhet në apelin e shoqatës.
Shoqata ka falënderuar kryepunëtorin e kompanisë, Isat Qestaj, si dhe personat e tjerë që kanë kontribuar në pastrimin e hapësirës përreth kontejnerëve.
Nga “Rrasa e Zogut” kanë bërë thirrje për bashkëpunim të përbashkët në ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e mjedisit në Bjeshkët e Junikut. /Telegrafi/


