Anëkohen prindërit: FFK-ja manipuloi me fëmijët
Por, ky deklarim është përgënjeshtruar nga Federata italiane, e cila ka shpjeguar se të rinjtë kosovarë kanë luajtur ndaj një përzgjedhësi që e ka bërë L’Aquilla e jo ndaj Italisë U-16. Kjo situatë ka shkaktuar zhgënjim të madh te prindërit e reprezentuesve të rinj, të cilët konsiderojnë se u manipulua me ndjenjat e fëmijëve të tyre
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka bërë një skandal të madh. Para pak ditësh ajo njoftoi për pjesëmarrjen e Përfaqësueses U-16 të Kosovës në turneun italian “Coppa della Pace” në Itali. Njëherësh kishte njoftuar se në turne do të marrin pjesë përfaqësueset U-16 të Italisë, Bullgarisë, Kosovës dhe një përbërje e L’Aquilla, vendit nikoqir të turneut.
Pas shkuarjes së fëmijëve kosovarë përtej Detit Adriatik, shtëpia e futbollit përmes një deklarate e kishte lanësuar një njoftim, sipas të cilit, Kosova ka luajtur kundër Përfaqësueses U-16 të Italisë dhe se takimi ka përfunduar baras, 1:1, shkruan sot gazeta Zëri.
Por, krejt ky deklarim i FFK-së ka dalë të jetë i pavërtetë. Ka shumë fakte që dëshmojnë se Kosova nuk kishte luajtur fare kundër Përfaqësueses U-16 të Italisë, siç kishte deklaruar shtëpia e futbollit në Prishtinë. Mbi të gjitha, Federata e Futbollit e Italisë ka konfirmuar se ekipi U-16 i saj nuk ka luajtur ndaj Kosovës. Shtëpia e Futbollit në Romë ka bërë të ditur se Kosova ka luajtur ndaj një përzgjedhje të L’Aquillas. “Përfaqësuesja e juaj nuk ka luajtur ndaj Italisë, por ndaj një ekipi të seleksionuar nga nikoqiri, L’Aquillas”, ka deklaruar Federata italiane.
Kjo ka shkaktuar zhgënjim të madh posaçërisht te prindërit e reprezentuesve të rinj kosovarë. Zhgënjimi rreth veprimit e FFK-së është më se evident te prindërit e fëmijëve, por vetëm njëri nga ta pranoi të flasë në kushte anonimiteti, pasi frikësohen se mund të pësojnë fëmijët e tyre. “Ky është një turp i madh. Askush nuk guxon të luajë me ndjenja të fëmijëve. Unë më së shumti jam i mllefosur në trajnerët e Përfaqësueses, sepse ata i konsideroj gënjeshtarët kryesorë. Ata dhe zyrtarë të përfaqësueses ishin në Itali dhe pa pikë turpi kanë lëshuar informata të rrejshme. Kjo duhet të jetë hera e fundit që manipulohet me fëmijë”, tha për “Zërin” babai i njërit reprezentues të ri kosovar.
Derisa Federata italiane ishte e qartë, duke thënë se Kosova ka luajtur ndaj një përzgjedhje që e ka bërë L’Aquilla, ky ekip tani nuk po quhet Përfaqësuese A e Italisë, nga FFK-ja dhe trajnerët e reprezentacionit kosovarë, por po quhet Përfaqësuese B të Italisë.
Në fakt, shtëpia e Futbollit në Prishtinë ka dalë me një sqarim, përmes së cilit thuajse veç e ka pranuar gafën e saj. Më herët FFK-ja nuk kishte treguar se ftesë kishte marrë edhe San Marino. Ndërsa, tani ka deklaruar se në momentet e fundit është anuluar pjesëmarrja e San Marinos, kështu që Italia U-16 ka luajtur ndaj Bullgarisë, kurse Kosova ndaj një përzgjedhje regjionale të Italisë.
“Me kohë kemi marrë ftesën dhe kemi bërë përgatitjet për pjesëmarrje e ku ishin të paraparë pjesëmarrja e San Marinos, Kosovës, Italisë dhe Bullgarisë. Mirëpo, në momentet e fundit është anuluar pjesëmarrja e San Marinos, ndaj organizatori në vend të San Marinos mblodhi përfaqësuesen regjionale të Italisë, pasi që ekipi përfaqësues i Italisë U-16 kishte paracaktuar ndeshjen me Bullgarinë”, thuhet në njoftimin e FFK-së, e cila nuk sqaron pse atëherë kishte deklaruar se Kosova luajti ndaj Italisë U-16.
Njëjtë thotë edhe Isa Sadriu, ndihmësi i përzgjedhësit, Besnik Kollari, me të cilin kontakti ishte i pamundur. “Ne kemi luajtur ndaj Kombëtares B të Italisë, pasi Kombëtarja A ka luajtur ndaj Bullgarisë dhe nuk e di kah dolën këto informacione. Kemi luajtur dy herë: ndaj Kombëtares B të Italisë dhe ndaj L’Aquillas. Kemi pasur të luajmë edhe ndaj Bullgarisë, por ata shkuan. Na thanë po u shohim njëherë duke luajtur ndaj Italisë, e pastaj vendosim. Por, ata shkuan dhe nuk luajtëm”, thotë për “Zërin” Isa Sadriu.


