Please enter at least 3 characters.

Analisti politik i CNN-it kërkon falje për komentin e tij për fëmijët në Gaza

Analisti politik i CNN, Van Jones, ka shkruar në X, për të kërkuar falje për komentin e tij në lidhje me fëmijët në Gaza, të bërë gjatë paraqitjes së tij të së premtes në emisionin “Real Time With Bill Maher”.

“Bëra një koment në emisionin ‘Real Time With Bill Maher’ për luftën në Gaza, i cili ishte i pandjeshëm dhe lëndues. Kërkoj ndjesë”, shkroi Jones, transmeton Telegrafi.

“Vuajtjet e popullit të Gazës - veçanërisht të fëmijëve - nuk janë një argument i qartë. Më vjen shumë keq që u interpretuan në atë mënyrë. Ajo që po u ndodh fëmijëve në Gaza është zemërthyese”, shtoi analisti politik.

“Si baba, nuk mund ta imagjinoj dhimbjen që po durojnë prindërit e tyre, të paaftë për t’i mbrojtur fëmijët e tyre nga një dëm i paimagjinueshëm”, tha ndër tjera.

Në program, Jones argumentoi se audienca më e re e sheh Izraelin ndryshe për shkak të asaj që ai e përshkroi si një “fushatë masive dezinformimi” të drejtuar nga “Irani dhe Katari” në platforma të tilla si TikTok dhe Instagram.

“Nëse je i ri, hap telefonin dhe e tëra çfarë sheh është një fëmijë i vdekur nga Gaza, një fëmijë i vdekur nga Gaza, një fëmijë i vdekur nga Gaza. Ky është në thelb transmetimi yt”, tha ai gjatë emisionit. /Telegrafi/