Please enter at least 3 characters.

Al Ittihad shpallet kampion i Arabisë Saudite – Mitaj dhe yjet tjerë udhëheqin drejt titullit të dhjetë

Al Ittihad është shpallur kampion i Ligës Profesionale Saudite për edicionin 2025, pas një fitore të rëndësishme 3-1 në udhëtim ndaj Al Raed, të enjten mbrëma.

Me këtë triumf, skuadra nga Jeddah ka siguruar titullin e 10-të në historinë e saj, dy xhiro para përfundimit të kampionatit.

Kampioni i ri ka qenë dominues këtë sezon, duke lënë prapa rivalët historikë si Al Hilal dhe Al Nassr. Al Hilal, që konsiderohet si gjiganti i futbollit saudit, do ta mbyll sezonin në vendin e dytë, ndërsa Al Nassr i Cristiano Ronaldos ka rënë në vendin e katërt, duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve të AFC-së për sezonin e ardhshëm.

Një ndër pikat kyçe të suksesit të Al Ittihad këtë sezon ka qenë performanca e disa lojtarëve të dalluar që kanë mbajtur barrën e skuadrës në momentet vendimtare. Ndër ta spikat mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Mario Mitaj, i cili me paraqitjet e tij solide në krahun e majtë ka fituar besimin e trajnerit dhe tifozëve.

Në mesin e yjeve të tjerë që kontribuuan në këtë sukses janë edhe mesfushorët Fabinho, Houssem Aouar dhe NGolo Kante, sulmuesit Karim Benzema dhe Steven Bergwijn, të cilët kanë qenë konstantë dhe vendimtarë në ndeshjet kyçe të sezonit.

Ky titull e rikthen Al Ittihad në majat e futbollit arab, duke dërguar një mesazh të qartë për rivalët se janë rikthyer për të qëndruar gjatë në fronin e futbollit saudit. /Telegrafi/