A mund të ndikojë ndërhyrja në gjoks te gjidhënia? Sqaron kirurgja plastike, Liridona Guci
Ndërhyrjet estetike në gjoks, qoftë për zvogëlim, zmadhim apo ngritje, janë ndër procedurat më të kërkuara në kirurgjinë plastike.
Megjithatë, para se një paciente të vendosë për një operacion të tillë, është e rëndësishme të informohet qartë për mundësitë, kufizimet dhe ndikimet që ndërhyrja mund të ketë në të ardhmen, përfshirë edhe gjidhënien.
Për këtë temë ka folur kirurgja plastike Liridona Guci, në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”.
Duke folur për ndërhyrjet në gjoks, Guci tha se procedurat mund të realizohen nga mosha e pjekurisë, pra nga mosha 18 vjeç e lart.
“Prej moshës së pjekurisë mund të bëhen, 18-të e lart”, tha ajo.
Megjithatë, kirurgja plastike theksoi se para çdo vendimi, pacientja duhet të marrë informacion të plotë për pasojat e mundshme të ndërhyrjes, sidomos kur bëhet fjalë për zvogëlimin e gjinjve.
“Tek gjoksat, kur bëjmë zvogëlimin e tyre, e informojmë pacientin për disa gjëra të mundshme”, u shpreh Guci.
Një nga çështjet që duhet diskutuar paraprakisht, sipas saj, është mundësia e ndikimit në gjidhënie.
“Humbje e aftësisë së gjidhënies, për shembull. Atëherë duhet me u informu pacientja edhe me vendos për këtë gjë”, tha ajo.
Guci sqaroi se ky rrezik është më i lidhur me ndërhyrjet për zvogëlimin e gjoksit, sepse gjatë procedurës mund të dëmtohen strukturat që kanë rol në gjidhënie.
“Nëse mund t’i quajmë pasoja, gjidhënia është humbja e aftësisë së gjidhënies, sidomos kur bëhet zvogëlimi i gjinjve”, tha kirurgja plastike.
Ajo shtoi se në këto raste mund të dëmtohen edhe kanalet apo strukturat përkatëse që lidhen me funksionin e gjirit.
Në anën tjetër, kur bëhet fjalë për zmadhimin e gjoksit me implante, Dr. Guci tha se në shumicën e rasteve aftësia për gjidhënie mund të ruhet.
“Nëse bëhet zmadhimi, në shumicën e rasteve munden me u kursy”, shpjegoi ajo.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:


