Please enter at least 3 characters.

24 aksidente dhe mbi 1,700 gjoba brenda një jave në rajonin e Ferizajt

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë javës nga 13 deri më 19 prill 2025 janë raportuar gjithsej 24 aksidente trafiku në këtë rajon, i cili përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga numri i përgjithshëm i aksidenteve, 13 prej tyre kanë qenë me të lënduar, ku kanë pësuar lëndime gjithsej 13 persona, ndërsa 11 aksidente kanë rezultuar vetëm me dëme materiale.

Gjatë së njëjtës periudhë, policia ka shqiptuar 1,717 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion, ndërsa 21 drejtuesve të automjeteve u janë hequr patentë shoferët për shkak të shkeljeve të rënda, për të cilat parashihet masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjetit.

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, duke u bërë thirrje shoferëve që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut.

Po ashtu, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në komunikacion, përmes stacioneve policore, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” apo përmes numrave kujdestarë.

Sipas policisë, të gjitha informacionet e qytetarëve do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/