Policia e Shtetit ka njoftuar sot finalizimin e një operacioni policor te koduar “Filtri”, i zhvilluar si rezultat i punës së mirë koordinuar informative dhe operacion midis autoriteteve belge dhe policisë së Vlorës, Durrësit dhe Tiranës.
Si rezultat i operacionit, janë sekuestruar 22 pasuri (të paluajshme dhe automjete) në pronësi të një 50-vjeçari aktualisht të akuzuar nga autoritetet belge, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim droge, si dhe të familjarëve të tij.
Pasuritë në fjalë janë në emër të 50-vjeçarit me inicialet E. G., 50 vjeç, lindur në Vlorë, dhe të familjarëve të tij.
Dyshohet se pronat dhe automjetet janë vendosur si pasojë e veprimtarisë kriminale që ky shtetas kishte jashtë vendit.
Policia bën me dije se po vijon puna me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të kenë si burim, veprimtaritë kriminale të 50-vjeçarit.
“Në kuadër të operacionit “Filtri”, u sekuestruan 18 pasuri të paluajtshme (apartamente, sipërfaqe toke, njësi shërbimi, garazh dhe depo), të ndodhura kryesisht në lagjen “Uji i ftohtë”, Vlorë dhe në Durrës, si dhe 4 automjete të tipeve të ndryshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shtetasi E. G. dhe nga familjarët e tij, për shkak të veprimtarive kriminale të 50-vjeçarit”, njofton policia.
Materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/