LAJMI I FUNDIT:

Akuza dhe etiketa të rënda ndaj një firme serioze

Raportet e kohëve të fundit të gazetarit Cristoph Heinzle publikuar në NDR (26.02.2010) për firmëen Ecolog nga Düsseldorf-i, themelues i së cilës është Nazif Destani, jo rastësisht, më kanë kthyer për gati 30 vite mbrapa dhe ma kanë kujtuar shtypin komunist të Beogradit të viteve tetëdhjetë. Ai shtyp i asaj kohe shpifte dhe trillonte gënjeshtra ndaj shqiptarëve, që më vonë të merrej politika dhe policia e fshehtë shtetërore, për t’i ndjekur shqiptarët veç e veç, kujt ia mësynin, por edhe si komb kolektivisht. Aso kohe, shtypi e bënte të veten, politika shqyrtonte dhe gjykonte rastin, ndërsa policia bënte hetime dhe me çdo kusht duhej ta nxirrte dikë fajtor në mesin e shqiptarëve. Por edhe kur ne pah dilte e kundërta, gazetarët as i trazonte kush, por viktimat e apostrofuara nga shtypi, edhe nëse nuk burgoseshin, mbeteshin me etiketën e të dyshimtëve moralo-politikë dhe nuk kishin mundësi as të punësoheshin më, as të avancoheshin profesionalisht.

Një mënyrë të tillë të etikemtit e bën edhe gazetari Chritopch Heinzle, duke akuzuar firmën Ecolog dhe pjesëtarët e familjes Destani me prejardhje nga Tetova e Maqedonisë, të cilët me vite të tëra punojnë e veprojnë në Gjermani, ndërsa brezi më i ri i kësaj familjeje ka arritur edhe shkallët më të larta qoftë në avancimet intelektuale, kulturore e ekonomike brenda shtetit gjerman. Akuzat e gazetarit në fjalë, drejtohen edhe te Lazim Destani, duke e quajtur atë si një patriark që kontrollon pjesëtarët e familjes në punë të pista. Po ashtu, ky gazetar akuzon firmën Ecolog se në kontratat për furnizim me dizel, për largimin e mbeturinave dhe për mbajtjen e higjienës së ushtarëve ndërkombëtarë në Afganistan, ka përvjedhur edhe kontrabandimin e drogës. Paraqitjet e tilla, duke denigruar dhe etiketuar një firmë serioze dhe një qarkullim serioz mes një aleance serioze ushtarake si është NATO, nuk thonë asgjë tjetër, por thirrje e të dobëtit për ta shkatërruar një raport të fortë mes dy partnerëve. Pse e pengon Cristoph Henzle ky partneritet? Pse e pengon familja Destani? Pse e pengon „patriarku“ Lazim Destani, i cili më shumë se gati të gjithë të huajt i ka dhënë ekonomisë dhe kulturës gjermane si familje e ngushtë?

Jemi të detyruar t’i themi këtij gazetari, që fton NATO-n për ta rishikuar partneritetin me firmën Ecolog, se familja Destani është detyruar që para gati 40 vitesh gradualisht ta lëshojë vendin e vet, si shumë shqiptarë të ish-Jugosllavisë që ishin të diskriminuar në punësim dhe, të bëhej pjesë e tregut te punës në Gjermani. Lazim Destani me gjithë vëllezër kanë punuar punë të ndryshme dhe me nder për vite të tëra. Ata edhe kanë krijuar familjet e tyre po në Gjermani, ku fëmijët tyre, përpos në aftësimet e ndryshme profesionale, kanë arritur të bëhen mjekë e aktorë.


Nëse i referohemi brezit më të ri të familjes Destani dhe nëse iu referohemi sukseseve të tyre, ato janë rezultat i shkollimit dhe punës së tyre në shtetin gjerman. Nëse dikush këtë brez në një shtet demokratik si është Gjermania dëshiron ta shohë vetëm si punëtor krahu, atëherë e ka gabim. Po ashtu edhe nëse dëshiron ta shoh babanë të ndarë nga djemtë dhe familja e gjerë e ka gabim, sepse sipas praktikave kudo në botë, e më së shumti edhe në Gjermani, firmat me ekip udhëheqës familjar kanë qenë gjithmonë më të suksesshme. Ky sukses ka bërë që familja Destani të gëzojë sot një respekt të veçantë edhe në komunitetin prej nga vjen, por edhe në raport me partnerët afaristë. Prandaj etiketimi dhe denigrimi se kjo familje përbën një klan mafioz dhe një rrjet kontrabandues të drogës është tendencioz.

Në fund do ta kisha shtruar vetëm një pyetje: A është e mundur që në partneritet me NATO-n një firmë si është Ekolog për 8 vite rresht të kontrabandojë drogë? Atëherë nuk e di kush do t’i besonte aleancës më të fortë ushtarake që vepron për ta mbajtur sigurinë në vatrat më të rrezikshme në botë.