Site icon Telegrafi

Abrashi: Kosova ka regres ekonomik, politika po ndikon negativisht në projektet madhore

Presidenti i “Exclusive Group”, Gazmend Abrashi në një intervistë për emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi, ka shprehur shqetësime të thella për situatën ekonomike në Kosovë.

Në një periudhë të ndryshimeve të mëdha globale dhe lokale, ekonomia e Kosovës po përballet me sfida dhe mundësi të reja.

Që nga pandemia, liberalizimi i vizave dhe ndikimi i luftës në Ukrainë, ekonomia botërore ka pësuar tronditje të shumta, dhe as Kosova nuk ka mbetur e paprekur. Megjithatë, bizneset janë duke ecur përpara, duke kapërcyer pengesat dhe duke kërkuar mundësi të reja.

Ndërmarrësi Abrashi ka folur për sfidat e të bërit biznes në vend, për problemet  e pengesat kryesore të ekonomisë sot në Kosovë.

Ai ka kritikuar institucionet për fokusin e tyre të tepruar në politikë, duke lënë pas dore zhvillimin ekonomik dhe projektet madhore.

Abrashi theksoi se “Kosova më shumë po merret me politikë, e shumë pak me ekonomi. Njerëzit e politikës duhet të kuptojnë se mund të jenë partnerë të interesantë në politikë nëse kemi ekonomi të zhvilluar.”

Presidenti i “Exclusive Group”, Gazmend Abrashi gjatë intervistës në “Përballje” /Foto:Ridvan Slivova

Sipas Abrashit, gabimet kardinale në nënshkrimin e marrëveshjeve të CEFTA-s dhe MSA-së kanë kontribuar në këtë regresion.

“Në atë kohë CEFTA është një dokument që përfshin shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, që nënkupton tregti e lirë, pra nuk paguan doganë”, tha Abrashi.

Ai shpreh shqetësim për humbjet e mëdha ekonomike, duke theksuar se: “Kosova humb rreth 600 milionë euro në vit nga marrëveshja e CEFTA-s, pa pasur asnjë përfitim konkret”.

Presidenti i “Exclusive Group”, Gazmend Abrashi gjatë intervistës në “Përballje” /Foto:Ridvan Slivova

Kjo, sipas Abrashit, tregon një rezultat zero nga lëvizjet e këtyre marrëveshjeve dhe një rritje të çmimeve për shkak të uljes së doganave.

Abrashi ka folur mungesën e investimeve të huaja në Kosovë, ndikimin që ka pasur liberalizimi në tregun e vendit, inflacioni etj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version