A do të ketë rezultate befasuese në balotazh?

Bazuar në të gjitha sondazhet dhe vëzhguesit e organizatave të ndryshme joqeveritare që kanë përcjell zgjedhjet lokale në vend, tregojnë se në shumicën e rasteve kandidati i ndonjë subjekti politik që ka më së shumti vota, në raundin e parë edhe në balotazh arrin të fitojë mandatin e kryetarit të komunës, për katër vitet e ardhshme, shkruan “KosovaPress”.
Zyrtarë të 'Demokracisë në Veprim', liderë të ndryshëm të partive politike, kanë thënë se janë të rralla rastet kur një kandidat i ndonjë partie politike, që garon në raundin e dytë, e që është radhitur i dyti në raundin e parë, ka pak mundësi që të përmbysë rezultatin dhe të mund kandidatin që ka më shumë vota.
Shqipe Pantina, nga 'Demokracia në Veprim', thotë për Kosovapress se gara në balotazh duhet të fillojë prej zeros që do të thotë se të dy kandidatët, në parim, do të ishin të barabartë, megjithatë, sipas saj, nga përvoja e kaluar, ajo çka ndodhë zakonisht, i pari që ka dal me vota, fiton edhe në raundin e dytë, por kjo nuk është domosdoshmërish.
Pantina tregon se në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2009, ka pasur raste kur ai që ka qenë i dyti me vota, e ka mundur të parin.
Sipas saj, rasti më konkret ka qenë në Rahovec, kur kandidati i AAK-së, edhe pse ka qenë i dyti me vota, pas atij të PDK-së, ka fituar zgjedhjet.
Tashmë dihet se nga zgjedhjet e 3 nëntorit, shumica e komunave të Kosovës, kanë shkuar në raundin e dytë.
Pantina nga 'Demokracia në Veprim' thotë se pret garë të nxehtë në komunat e Gjakovës dhe Prishtinës.
Liderë të partive politike, kandidatët e të cilave kanë shkuar në balotazh nuk kanë asnjë dyshim se kandidati i tyre do të fitojë në zgjedhjet e 1 dhjetorit, pavarësisht se a gjenden në pozitën e dytë apo të parën.
Kandidatja e AKR-së për Gjakovën, Mimoza Kusari–Lila, e cila gjendet e para në garën për kryetare të Gjakovës, thotë për Kosovapress se AKR, në komunën e Gjakovës është e para, ndërsa në komunën e Mitrovicës është e dyta.
Kusari- Lila ka thënë se votat për kandidatët që nuk kanë kaluar në raundin e dytë do të orientohen në Aleancën Kosovare e Re.
Për Ernest Lumen zëdhënës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, dy komunat ku kjo parti ka shkuar në balotazh, në Gjakovë dhe Pejë, janë bastione të AAK.
Luma thotë se AAK-ja ka lindur dhe është zhvilluar, pikërisht në këto dy qendra, duke thënë se nuk heqin dorë nga këto komuna.
Sipas tij, rezultati i votave në këto dy komuna ka qenë një shuplakë zgjedhore e elektoratit që ta këndell saktë dhe fuqishëm strukturat e AAK-së në Pejë e Gjakovë.
Fitorja e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e vitit 2009, në komunën e Vitisë, i cili kishte shkuar në balotazh, e që kishte grumbulluar vota më pak se kandidati i parë, për zyrtar të PDK-së, kjo histori mund të përsëritet edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve që zhvillohet më 1 dhjetor, ku disa kandidatë të PDK janë në balotazh.
Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së thotë se kanë pasur rastin kur ai i cili është renditur i dyti ka fituar garën, por, sipas tij, natyrshëm ai që është i pari krijon një lloj përparësie.
Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës thonë se në ato vende ku janë të parët nuk do të lëshojnë pe, por janë të sigurt se në ato pak komuna ku janë të dytët do të mundohen të përmbysin rezultatin.
Vjosa Osmani nga LDK-ja thotë për Kosovapress se votat që ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë rreth të parë janë vota të pastra vetëm të LDK-së dhe jo vota të koalicioneve, qoftë me pakica të ndryshme ose parti të tjera.
Raundi i dytë për zgjedhjet në komunat që kanë shkuar në balotazh, do të mbahet më 1 dhjetor të këtij viti, përderisa në disa qendra votimi në veri të Kosovës, votohet më 17 nëntor. /Telegrafi/





















































