LAJMI I FUNDIT:

2018-ta, vit i shumë dështimeve e pak sukseseve

2018-ta, vit i shumë dështimeve e pak sukseseve

Gjatë vitit që po e lëmë pas, Kosova pati disa suksese por edhe dështime në rrafshin politik. 2018-ta u karakterizua më shumë me dështime në planin ndërkombëtar, mosliberalizim të vizave, mos anëtarësim në INTERPOL, vrasje e tentim vrasje, manipulime në rastin e listave të veteranëve etj.

Telegrafi më poshtë ju sjell disa nga ngjarjet më kulminante që ndodhën gjatë vitit 2018:

JANAR


Viti filloi me vrasje, ku më 16 janar 2018 në orët e hershme të mëngjesit para zyrës së tij u vra kryetari i Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq. Pas vrasjes së tij, zyrtarët nga Qeveria e Serbisë u munduan që fajin për këtë vrasje t’ua lënë shqiptare madje deklaruan se nuk ju besojnë institucioneve të Kosovës për zbardhjen e këtij rasti. Pavarësisht kësaj, institucionet vendore të drejtësisë duke përfshirë policinë, prokurorinë dhe gjykatat filluan hetimet rreth kësaj vrasje, ku deri më tani në paraburgim vazhdojnë të mbeten tre persona të dyshuar që kanë qenë të përfshirë në këtë vrasje.

SHKURT

Pas vrasjes së Ivanoviqit, në muajin shkurt, Qeveria e Kosovës kishte bërë përgatitjet për shënimin e vitit jubilar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pjesë e shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ishte edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora e cila mbajti një koncert në sheshin Nënë Tereza, koncert ky i cili zuri vend në shumë media botërore, duke bërë kështu që bota të njihet me Kosovën.

MARS
Gjatë muajit mars, deputetët e Kuvendit të Kosovës pas më shumë se tri viteve bllokadë arritën që ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Më 21 mars 2018, deputetët e Kuvendit me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim i dhanë dritën e gjelbër kësaj marrëveshje. Marrëveshja u votua pas katër tentimeve për pengim që i bëri Vetëvendosje me hedhjen e gazit lotsjellës. Si pasojë e këtyre veprimeve të deputetëve të VV-së, shumica nga ta u përjashtuan nga seanca. Duhet kujtuar se viteve të mëparshme kundër kësaj marrëveshje u zhvilluan protesta të shumta nga opozita.

Por, marsi nuk përfundoj me kaq. Më 29 mars 2018 nga Kosova për në Turqi në mënyrë të jashtëligjshme u deportuan gjashtë shtetas turq, pesë nga ta punonjës të Institucionit ‘Mehmet Akif’ pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, si dhe një mjek turk në Kosovë.

Rreth këtij veprimi krerët e shtetit, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, dolën me komunikata duke thënë se nuk kishin njohuri për këtë operacion. Lidhur me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi nga pozita e ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn dhe drejtorin Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi. Për këtë rast është krijuar edhe Komisioni Hetimor Parlamentar.

MAJ

Në maj të 2018, grupi i deputetëve të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kishin formuar grupin parlamentar të deputetëve të pavarur, kaluan edhe zyrtarisht në partinë e tyre të re të quajtur Partia Socialdemokrate (PSD). Më 9 maj ky subjekt mbajti Kuvendin e Jashtëzakonshëm ku zgjodhi me shumicë votash kryetarin e saj Shpend Ahmetin, nënkryetarin Visar Ymeri, sekretaren e përgjithshme Aida Dërgutin.

GUSHT

Gjatë muajve të verës, më konkretisht në muajin gusht, presidenti i vendit Hashim Thaçi u kujdes që vera të jetë edhe më e nxehtë. Ideja e tij për një korrigjim të mundshëm të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, nxiti reagime të shumta. U tha se Thaçi dëshiron ta marrë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, por mos t’i japë asgjë Serbisë. E presidenti serb, Vuçiq, kishte deklaruar se dëshiron t’i marrë katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Kjo ide e presidentit Thaçi, bëri që këtij të fundit t’i kundërvihet fuqishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Haradinaj u shpreh kundër ndryshimit të kufijve.

Në një deklaratë të tij, kryeministri Haradinaj u kishte thënë partive opozitare se e kanë votën e tij për mbrojtjen e territorit, pasi që opozita synonte të nxjerr një rezolutë në Kuvend, e cila specifikon qartë se në dialogun me Serbinë nuk guxon të diskutohet për territorin dhe kufijtë.

Kundër idesë së presidentit Thaçi për korrigjim ishin edhe Gjermania dhe Britania e Madhe, kurse SHBA-të deklaruan se presin një zgjidhje dhe se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon”.

Por vera u “nxeh” edhe më shumë me skandalin e listave të veteranëve të rrejshëm, ku u tha se janë mbi 19 mijë veteranë të rrejshëm.

Më 13 gusht 2018, tashmë ish-prokurori që po hetonte manipulimet me listat e veteranëve, Elez Blakaj dha dorëheqje, shkaku i kërcënimeve që kishte marrë lidhur me hetimin e listave të fryra të veteranëve.

Një javë pas dorëheqjes së Blakajt, ku u komentua shumë ky veprim i tij, ai përmes një letre të publikuar Facebook sqaroi arsyet e dorëheqjes. Blakaj kishte thënë se përmes letrës së tij, ai dëshiron të përcjell dy porosi. E para është protestë dhe e dyta një mesazh.

Ndër tjerash ai ka thënë se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, i ka kërkuar atij llogari se pse në mesin e dëshmitarëve e ka ftuar edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.

Kjo gjendje bëri që të mbahen edhe protesta ku qytetarët kërkonin shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Më 22 gusht u mbajt protesta me moton “Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit”.

SHTATOR

Këtu nuk përfundon e gjithë “meselja” me listat e veteranëve. Më 14 shtator Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 12 personave për rastin e veteranëve, ku këta 12 persona kishin kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 të KPRK”. Të akuzuarit janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Kjo aktakuzë u kthye mbrapa me 9 tetor 2018, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e aktakuzës, duke i lënë kështu 30 ditë kohë në dispozicion për plotësuar dhe ndryshuar.

NËNTOR

Nëntori i vitit 2018 ishte i rezervuar për dështimin e Kosovës në INTERPOL, edhe pse zyrtarët e shtetit u shprehnin optimistë se Kosova do t’ia dalë në këtë sfidë, mirëpo Serbia ishte ajo që po pengonte një gjë të tillë.

Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të organizatës ndërkombëtare policore INTERPOL, e cila u mbajt më 18-21 nëntor në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, Kosova nuk arriti të marrë 2/3 e votave për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it. Votimi në raundin e dytë në Asamblenë së Përgjithshme të INTERPOL-it për Kosovën ishte 68 pro, 51 kundër dhe 16 abstenime. Lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë policore ishte shumë i ashpër.

Pas kësaj fushate të egër të Serbisë ndaj Kosovës, Qeveria e Kosovës vendosi t’i hakmerret duke i vendosur taksë produkteve nga Serbia dhe Bosnja.

Qeveria fillimisht më 6 nëntor kishte marrë vendim për vendosjen e taksës prej 10%, mirëpo kjo taksë pas dështimit të Kosovës në INTERPOL, u rrit në 100%.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 21 nëntorit, mori vendimin që mallrat që do të hyjnë nga Serbia dhe Bosnja në Kosovë t’i nënshtrohen taksës prej 100%. Ky vendim u mirëprit mirë edhe nga qytetarët dhe prodhuesit vendor. Kjo taksë ka bërë që të ketë rritje të të hyrave për buxhetin e shtetit.

DHJETOR

Pas dështimit në INTERPOL, Kosova u godit edhe nga një e keqe. Kësaj radhe qytetarët nuk morën lajmin e shumëpritur se do të mund të lëvizin pa viza.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha kumtoi lajmin e hidhur se Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian nuk e ka vendosur në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e anashkaluar edhe një herë vullnetin e kosovarëve për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen.

Pavarësisht se Kosova ka plotësuar 95 kritere të kërkuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave, përfshirë edhe ratifikim e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, këto nuk i kanë bindur disa vende të BE-së që të marrin vendim për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Madje u tha se liberalizimi i vizave mund të shtyhet deri në vitin 2020. Por, pavarësisht këtyre dy dështimeve të njëpasnjëshme, java e dytë e dhjetorit ishte rezervuar për ngjarjen më të madhe të këtij viti. Kosova më në fund u bë me ushtri pas 10 vjetësh të shpalljes së pavarësisë.

E premtja e 14 dhjetorit ishte rezervuar që tash e tutje të jetë datë historike për qytetarët e Kosovës. Deputetët e Kuvendit në seancën plenare ku në rend dite ishin votimi i tri projektligjeve për FSK-në, ishin të gjithë pro kalimit të këtyre projektligjeve.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 107 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim miratuan Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pas këtij votimi u mbajt ceremoni shtetërore, ku krerët e shtetit thanë se Ushtria e Kosovës do t’i kontribuojë paqes në rajon dhe botë, si dhe do të jetë sipas standardeve të NATO-s.

E kur u mendua se 2018 po përmbyllet me këtë lajm të mirë, ndodhi e papritura. Pasditen e së enjtes më 27 dhjetor 2018, në Istog u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Izet Demaj në krye të detyrës.

Ai u plagos rëndë pas një përleshje me armë që pati me një Kamer Metaj, cili kishte tentuar të kryente një grabitje në një bankë, dhe rrugës për në spital kishte ndërruar jetë.

Po ashtu i dyshuari ishte qëlluar për vdekje në vendin e ngjarjes. Kjo ngjarje tronditi mbarë opinionin, ndërkaq u kërkua që pjesëtarët e Policisë së Kosovës të kenë sigurimet shëndetësore, jetësore dhe pensionale. Një gjë të tillë kryeministri Ramush Haradinaj premtoi se do ta realizoj në fillim të vitit 2019. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori