Site icon Telegrafi

10 fakte që nuk i dini për Che Guevaran: Revolucionari që u diplomua si doktor (Foto)

Design by: 7pagesDesign.com

Më 14 qershor të vitit 1928 lindi Ernesto “Che” Guevara. Emri “Che Guevara” nxit ose dashuri ose urrejtje. Emri është sinonim me luftën për liri për disa dhe gjakderdhje për disa të tjerë.

I njohur zakonisht si el Che apo thjesht Che, ai ishte revolucionar marksist argjentinas, mjek, autor, udhëheqës gueril, diplomat, dhe teoricien ushtarak; figurë e madhe e Revolucionit Kuban, fytyra e tij e stilizuar është simbol global i rebelimit në kulturën popullore.

Che mbetet hero kombëtar në Kubë, ku imazhi i tij është vendosur në kartëmonedhën 3 pezo, ndërsa në shkollë fëmijët e fillojnë çdo mëngjes mësimin duke u zotuar “Ne do të bëhemi si Che”. Në atdhe, Argjentinë, shkolla të larta dhe muzeume mbajnë emrin Che, dhe në vitin 2008 një shtatore 3.7 m prej bronzi u vendos në qytetin e tij të lindjes, Rosario. Përveç kësaj, Che Guevara është shenjtëruar nga disa bolivianë si Shën Ernesto dhe i luten për ndihmë.

Si diplomat në emër të socializmit kuban, Guevara udhëtoi në vende të ndryshme të botës, përfshi Shqipërinë. Guevara gjithashtu luajti rol qendror në trajnimin e forcave të milicisë të cilat zmbrapsën sulmin amerikan në Gjirin e Derrave më 1961. Përveç kësaj, Guevara ishte shkrimtar. Ai la pas një ditar, së bashku me një autobiografi në lidhje me udhëtimin e tij me motor nëpër Amerikën Latine kur ishte i ri.

Che u vra më 1967 në Bolivi. Forcat boliviane, të mbështetura nga ushtria amerikane, kapën Guevarën më 8 tetor, ndërsa po luftonin me bandën e tij guerilase në Bolivi, dhe e vranë atë një ditë më vonë. Duart e tij u prenë, si një provë për vdekjen e tij, dhe trupi i tij u varros, në një varr pa emër. Në vitin 1997, eshtrat e Guevarës u gjetën dhe u dërguan në Kubë, ku u rivarrosën në një ceremoni ku mori pjesë dhe Presidenti Fidel Kastro e mijëra kubanez.

Revista amerikane Time e ka cilësuar Guevarën si një nga 100 njerëzit më me ndikim të shekullit të 20-të.


Ndërsa fotografia Guevara; “Guerrillero Heroico” e Alberto Kordas, është cituar nga Kolegji i Institutit të Artit në Maryland si fotografia më e famshme në botë.

Ajo që shumë njerëz nuk dinë është se emri real i Che-së s’ishte dhe aq romantik. Emri i vërtetë i tij është Ernesto Lynch. Ky mbiemër s’ka të njëjtin efekt si Guevara. Mbiemri vjen prej faktit se familja e tij ishte gjysmë-irlandeze.

Tirana Observer sjell më poshtë 10 fakte për Che Guevaran.

Che dhe “bluza javore”

Che Guevara, kur ishte i ri kishte nofkën “Chancho” (derr), për shkak të zakonit të tij për të mos u larë, si dhe prej faktit që ai gjithmonë vishte një “bluzë javore”, që do të thotë se e ndërronte bluzën një herë në javë. Përgjatë gjithë jetës së tij (edhe më pas mesa duket) njerëzit kanë komentuar faktin që ai mbante erë të keqe, sigurisht jo përballë tij.

Ernesto “peshkopi”

Ndryshe nga imazhi qe kemi për Guevara-n, kur ishte i ri ai ishte lloji i personit që e quajmë “peshkop”. Ai luante shah dhe madje ka marrë pjesë në disa konkurse lokale. Përveç kohës që kalonte me shokët e tij të shahut ai lexonte poezitë që i donte me pasion të madh. Lëndët e tij të preferuara në shkollë ishin matematika dhe inxhinieria.

Kuban apo jo?

Ndërkohë që Che Guevara mbahet mend më së shumti për aksionin e tij në Kubë, ai në fakt ka lindur në Argjentinë. Fakti interesant është se ka lindur në një familje të pasur dhe kurrë s’është bërë qytetar kuban. Kur ai erdhi në jetë, gjëja e parë që babai i tij tha ishte, “Ajo që vihet re menjëherë është se në gjakun e birit tim rrjedh gjak rebelësh irlandezë”.

Rebel me titullin doktor

Në qershor të vitit 1953 Che Guevara përfundoi studimet në mjekësi dhe u diplomua si doktor Ernesto Guevara. Teksa studionte në mjekësi, ai ishte veçanërisht i interesuar në sëmundjen e lebrozës. Che mund të konsiderohet një rebel me titullin doktor.

Udhëtimi në SHBA

Në vitin 1964 Che udhëtoi drejt SHBA për të mbajtur një fjalim në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Ndërkohë që ai dënonte SHBA për politikat veçuese racore ai tha: “Ata që vrasin fëmijët e tyre dhe i diskriminojnë ato çdo ditë për shkak të ngjyrës së lëkurës; ato që i lënë të lirë vrasësit e të zinjve duke i mbrojtur dhe më tej ndëshkojnë popullatën me ngjyrë sepse kërkojnë të drejtën legjitime për të jetuar si njerëz të lirë – si mund ta konsiderojnë vete ata rojtarë të lirisë?”

Pesë fëmijët e Che-së

Ne jemi mësuar ta shohim Guevara-n si revolucionar, pa e imagjinuar si njeri familjar, por në fakt ai ka pasur një fëmijë me gruan e tij të parë, Hilda Gadea. Ai ka pasur një vajzë që lindi në Meksiko Siti më 15 shkurt 1956, si dhe katër fëmijë me gruan e tij të dytë, revolucionaren Aleida March. Në foto është djali i Che-së, Camilo.

Pa duar

Pas ekzekutimit të tij, një doktor ushtarak preu duart e Che-së. Ushtarakët bolivianë e varrosën trupin e tij në një varr pa emër. Duart u ruajtën për t’u dërguar në Buenos Aires për identifikim të shenjave të gishtave, pasi ishin regjistruar në dosjet e policisë argjentinase. Në vitin 1997, eshtrat e Guevarës u gjetën dhe u dërguan në Kubë, ku u rivarrosën në një ceremoni ku mori pjesë dhe Presidenti Fidel Kastro e mijëra kubanez.

Ikonë ironike

Fotot e shumta të fytyrës së tij janë kthyer në imazhet më komerciale të botës, duke u shfaqur në një sërë objektesh, si bluza, postera, tatuazhe. Në mënyrë ironike imazhi i tij ka kontribuar në kulturën e konsumit, të cilën ai thellësisht e përbuzte. Imazhi origjinal që është shumëfishuar gjithandej është shkrepur nga fotografi Alberto Korda.

Shën Ernesto

Guevara mbetet një hero kombëtar i dashur për shumë njerëz në Kubë, ku nxënësit e shkollës çdo mëngjes thonë, “Ne do bëhemi si Che”. Ndërkohë, Guevara është shenjtëruar nga disa fermerë në Bolivi si “Shën Ernesto”, të cilit i luten për ndihmë. Nuk është e nevojshme të thuhet se kisha Katolike nuk e konsideron Guevara-n si shenjt dhe e kundërshton këtë lloj adhurimi ndaj tij./ Tirana Observer/

Exit mobile version