Will Smith e la publikun të tronditur pasi sulmoi në mënyrë dramatike në skenë aktorin e komedisë Chris Rock, për shakanë që ai bëri në lidhje me gruan e tij.
Por kjo nuk është hera e parë që fansat mbeten të tronditur nga sjellja e një aktori të listës A, me një sërë momentesh tronditëse që rrethojnë historinë 93-vjeçare të shfaqjes së çmimeve.
Një nga skandalet më të fundit përfshin shpalljen e gabuar të filmit “La La Land” në vend të “Moonlight” si fitues i çmimit “Filmi më i mirë” në vitin 2017, shkruan DailyMail.
Gafa të tjera përfshijnë një person i zhveshur që vrapoi nëpër skenë në vitin 1974 dhe rastin kur Adrien Brody e kapi Halle Berryn dhe e puthi me pasion pasi ai fitoi një “Oscar” për ‘aktorin më të mirë’.
Në vazhdim ju njohim me disa nga gafat më të mëdha të shënuara ndër vite në “Oscars”:
Oscars 2000: Angelina Jolie puthi vëllain
Në vitin 2000, bota mbeti e hutuar kur Angelina Jolie shkëmbeu një puthje pasionante me vëllain e saj James Haven në “Oscars”.
Dyshja i lanë shikuesit të mërzitur, pasi atëherë 24-vjeçarja Jolie kishte fituar çmimin ‘Aktorja më e mirë në rol dytësor’ për rolin e saj në filmin “Girl, Interrupted”.
Gjatë fjalimit të saj për pranimin e çmimit “Oscar”, Angelina tha në atë kohë: “Jam shumë e dashuruar me vëllain tim tani”.
Më vonë, në festën e “Oscar”-it të organizuar nga “Vanity Fair”, ajo dhe James u fotografuan duke shkëmbyer një puthje në buzë, e cila tërhoqi publicitet në mbarë botën dhe më pas shakatë me incest, të cilat Angelina i quajti ‘patetike’.
“Së pari, ne jemi miqtë më të mirë. Dhe nuk ishte ndonjë puthje e çuditshme me gojë hapur. Ishte zhgënjyese që diçka kaq e bukur dhe e pastër mund të shndërrohej në shaka”, tha ajo më vonë për Revistën “People”.
James shtoi: “Ishte një moment i mrekullueshëm. Megjithatë, u keqinterpretua plotësisht”.
Ai i tha Daily Mail në vitin 2007: “Unë nuk i dhashë Angelinas një puthje franceze. Ishte diçka e thjeshtë dhe e bukur”.
“Ajo ishte gati të shkonte në Meksikë për të përfunduar xhirimet e ‘Original Sin’ me Antonio Banderas. E urova për fitoren e çmimit ‘Oscar’ dhe i dhashë një puthje të shpejtë në buzë”.
Oscars 1974: Një person i zhveshur u ngjit në skenë
Në vitin 1974, fotografi amerikan dhe aktivisti për të drejtat e homoseksualëve Robert Opel tronditi botën duke i ngjitur në skenën e “Oscars” krejtësisht i zhveshur.
Artisti thuhet se u fsheh në prapaskenë duke u shtirur si gazetar para se të vraponte lakuriq pranë David Niven dhe të ndezte një shenjë paqeje ndërsa në skenë po prezantonte Elizabeth Taylor.
Pasi shpërtheu në të qeshura të përkohshme ndërsa Opel ndezi audiencën, prezantuesi David Niven tha: “Epo, zonja dhe zotërinj, kjo ishte gati të ndodhte”.
“Por a nuk është magjepsëse të mendosh se ndoshta e vetmja qeshje që njeriu do të marrë ndonjëherë në jetën e tij është duke u zhveshur dhe duke treguar të metat e tij?”.
Duke folur për shtypin pas incidentit, Opel u tha gazetarëve: “Njerëzit nuk duhet të kenë turp të jenë nudo në publik. Përveç kësaj – kjo është një mënyrë për të nisur një karrierë”.
Oscars 2017: Emri i fituesit të çmimit kryesor u tha gabim
Fansat dhe aktorët mbetën të shtangur në vitin 2017 pasi nderimi më i lartë i mbrëmjes iu dha filmit të gabuar.
Çmimi “Filmi më i mirë” iu dha gabimisht muzikalit “La La Land” përpara se të zbulohej se fituesi ishte në të vërtetë filmi “Moonlight” – një film i cili flet për një djalë të ri afrikano-amerikan që lufton me identitetin dhe seksualitetin e tij.
Prezantuesve të çmimit, Warren Beatty dhe Faye Dunaway iu dha rastësisht zarfi i gabuar nga kontabilistët e PriceWaterHouseCoopers, të cilët kalkulojnë votimin e Akademisë.
Në një moment emocionues, yjet dhe producentët e “La La Land” u ndaluan në mes të fjalimeve të tyre të pranimit të çmimit dhe u detyruan të dorëzonin trofeun te producentët e filmit “Moonlight”.
Oscars 2003: Adrien Brody puthi prezantuesen pas marrjes së çmimit
Një tjetër moment i diskutueshëm në historinë e “Oscars” është ai i aktorit Adrien Brody, i cili shtrëngoi nikoqiren e mbrëmjes, aktoren Halle Berry në një përqafim pasionant dhe e puthi në buzë pasi iu dha çmimi “Aktori më i mirë” në vitin 2003.
Pasi iu dorëzua trofeu për rolin e tij në “The Pianist”, aktori iu drejtua Berryt dhe tha: “Vë bast se nuk ju thanë se [puthja] ishte në çantën e dhuratës”.
Berry, e cila dukej paksa e habitur nga takimi, u pa duke fshirë buzët në skenë dhe më vonë e përshkroi puthjen si ‘të lagur’.
Duke kujtuar momentin gjatë një daljeje televizive në vitin 2017, aktorja zbuloi se puthja nuk ishte e planifikuar dhe se mendimi i saj i parë kur Brody e puthi atë ishte si: “Çfarë dreqin po ndodh tani”.
Kur u pyet nga prezantuesi i televizionit Andy Cohen nëse puthja ishte e mirë, Berry u përgjigj: “Nuk e di. Isha shumë i përqendruar te ajo se çfarë po ndodhte për momentin”.
Oscars 1973: Marlon Brando refuzoi të merrte çmimin
Në vitin 1973, Marlon Brando kishte fituar çmimin “Aktori më i mirë” për rolin e tij në “The Godfather”, por nuk kishte pranuar ta merrte çmimin.
Në vend që të dilte në skenë për të marrë çmimin, aktori dërgoi në vend të tij aktivisten e të drejtave civile të Amerikës, Sacheen Littlefeather.
Në skenë ajo lexoi një letër nga Brando që informonte Akademinë se ai nuk do ta pranonte çmimin në shenjë proteste kundër përshkrimin që Hollywoodi ua ka bërë amerikanëve vendas.
Fjalimi i saj i shkurtër – i kufizuar në vetëm 60 sekonda – u prit me një mal brohoritjesh dhe duartrokitjesh nga publiku, ndërsa në prapaskenë më pas ajo lexoi fjalimin prej 15 faqesh që Brando kishte përgatitur.
Brando u bë aktori i dytë që refuzoi çmimin e tij “Oscar” pas George C Scott, i cili i tha Akademisë muaj më parë se nuk do ta pranonte çmimin në vitin 1970 për ‘baza filozofike’.
Oscars 2014: John Travolta shqipton gabim emrin e aktores Idina Menzel
Në vitin 2014, John Travolta i la fansat të tronditur pasi dështoi të prezantonte yllin muzikor Idina Menzel, duke e thënë gabim emrin e tjetër kujt.
Travolta po prezantonte performancën e saj në Oscars kur tha: “Ju lutemi mirëpritni talentin e ligë, një dhe të vetmen Adele Dazeem”.
Ylli i “Wicked” më parë pranoi se fillimisht kishte ngelur i mërzitur nga ngatërresa,
Megjithatë, Idina tani sheh anën qesharake të gabimit, duke zbuluar se Travolta ka kërkuar falje shumë për shqiptimin e gabuar të emrit të saj.
Ajo tha: “Ishte gjëja më e madhe që më ka ndodhur ndonjëherë. [John] ka shkruar kaq shumë e-maile të këndshme, ka dërguar lule, ai është kaq i sjellshëm dhe për ta kompensuar gabimin do të bënte gjithçka”.
“Dhe unë gjithmonë them vetëm, “Pa merak, sepse ishte gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë!”.
Travolta më parë shpjegoi se e kishte shqiptuar gabim emrin e Idinës sepse stafi i “Oscars” e kishte ndryshuar emrin e saj në një drejtshkrim fonetik.
Oscars 2019: Lady Gaga dhe Bradley Cooper shfaqin shumë kimi mes vete
Kimia elektrizuese e Lady Gagas dhe Bradley Cooperit gjatë performancës së tyre “Oscars 2019” i çoi shikuesit në furi.
Dyshja – të cilët po interpretonin përballë njëri-tjetrit iu tha të “merrnin një dhomë” nga përdoruesit e rrjeteve sociale pas një dueti që dukej se ishte shumë intim.
Ndërsa Lady Gaga ishte beqare në atë kohë, e dashura e atëhershme e Bradleyt, Irina Shayk – nga e cila ai u nda më vonë atë vit – e shikonte në audiencë.
Oscars 2013: Jennifer Lawrence rrëzohet teksa ngjitet në skenë për të marrë çmimin
Jennifer Lawrence u bë një nga njerëzit më të rinj në moshë ndonjëherë që mori çmimin “Aktorja më e mirë” në “Oscars 2013” – por fitorja e saj historike u la shpejt në hije, ndërsa ajo u rrëzua kur u ngjit në skenë për të marrë çmimin.
Ylli – e cila fitoi çmimin për rolin e saj në “Silver Linings Playbook”, u pa për një moment duke e varur kokën në duar pasi fustani i saj voluminoz pa rripa shkaktoi fatkeqësinë në shkallë.
Bradley Cooper dhe Hugh Jackman, u panë duke nxituar në skenë për ta ndihmuar aktoren që ta korrigjonte situatën
Ajo refuzoi çdo ndihmë teksa e ngriti veten dhe vazhdoi të pranonte çmimin.
Oscars 1969: Dy fituese për çmimin “Aktorja më e mirë”
Në vitin 1969, aktoret Barbra Streisand dhe Katharine Hepburn morën të dyja saktësisht 3030 vota nga juria profesionale e Akademisë.
Kështu Akademia vendosi që dy aktoret të ndanin çmimin “Oscar”.
Hepburn po vlerësohej falë rolit të saj në “The Lion in Winter”, ndërsa Streisand për debutimin e saj në “Funny Girl”.
Megjithatë, Hepburn nuk mori pjesë në ceremoni, kështu që Barbara e pranoi çmimin e vetme.
Oscars 1971: George C. Scott refuzon të marrë çmimin “Aktori më i mirë”
Aktori legjendar George C. Scott i tha Akademisë se do të refuzonte çdo nominim për rolin e tij në “Patton”, sepse nuk i pëlqente të krahasoheshin idetë e shfaqjeve krijuese.
Ai më parë ishte nominuar dy herë për çmimin ‘Aktori më i mirë në rol dytësor’ për rolet e tij në “Anatomy of a Murder” dhe “The Hustler”. Të dyja herë ai kërkoi nga Akademia që të mos e nominonte.
Megjithatë, ai u nominua dhe vazhdoi të fitonte çmime.
Ndërsa vendosi të anashkalonte ceremoninë dhe të qëndronte në shtëpinë e tij në New York, producenti Frank McCarthy doli në skenë për të marrë çmimin.
Oscars 1936: Skenaristi Dudley Nichols refuzon gjithashtu çmimin e tij
Personi i parë që refuzoi një çmim “Oscar” për skenarin ishte Dudley Nichols.
Ai e refuzoi çmimin në shenjë solidariteti me Shoqatën e Shkrimtarëve, e cila ishte në grevë në atë kohë.
Akademia refuzoi Skenarin e Shkrimtarëve të Ekranit dhe sindikatat e tjera dhe kundërshtoi sindikatat e pavarura.
Oscars 2016: Asnjë njeri me ngjyrë nuk nominohet për ndonjë çmim
Shakaja e Chris Rock për Jada Pinkett Smith nuk është polemika e tij e parë në “Oscars”.
Mungesa e një nominimi të vetëm për një aktor me ngjyrë në vitin 2015 çoi në nisjen e një fushate e cila në atë kohë u quajt “#OscarsSoWhite”.
Kur historia u përsërit në vitin 2016, shumë aktorë ishin të zemëruar.
Madje atë vit Will Smith dhe Jada ishin në mesin e figurave të industrisë që bojkotouan mbrëmjen e ndarjes së çmimeve.
Chris Rock, i cili ishte prezantuesi i ceremonisë atë vit, mbajti një fjalim 10-minutësh duke shfryrë zhgënjimet e njerëzve.
Oscars 2019: Shfaqja mbetet pa prezantues shkaku i komenteve homofobike të Kevin Hart
Në vitin 2019, për herë të parë pas 30 vjetësh u vendos që “Oscars” të mos kishte një prezantues përgjatë mbrëmjes.
Kjo ndodhi pasi prezantuesi Kevin Hart u detyrua të largohej nga detyra e prezantuesit pas një sërë postimesh homofobike në Twitter.
Kështu përgjegjësia e prezantimit iu kaloi 13 yjeve, duke përfshirë: Tina Fey, Whoopi Goldberg, Brie Larson, Daniel Craig dhe Jennifer Lopez.
Kjo ndodhi pasi Kevin nga viti 2009 deri në vitin 2011 ka bërë komente të shumta negative kundër komunitetit LGBTI. /Telegrafi/