Walter Scott Jr. ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare – ikona e R&B-së humb betejën me kancerin

Walter Scott Jr., një nga zërat më të dashur të muzikës R&B dhe anëtar themelues i grupit legjendar The Whispers, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare.
Ai u shua më 26 qershor në Northridge të Kalifornisë, i rrethuar nga familjarët, pas një beteje gjashtëmujore me kancerin.
Lajmi është konfirmuar nga mediat prestigjioze si Billboard dhe Los Angeles Sentinel, të cilat kanë nderuar trashëgiminë e tij të pasur muzikore, shkruan DailyMail.
Scott ishte një figurë kyçe në suksesin e The Whispers, grup i cili shënoi historinë e muzikës soul dhe R&B amerikane.
Me zëra harmonikë dhe një stil të dallueshëm, grupi grumbulloi suksese të shumta gjatë dekadave, përfshirë hitet “And the Beat Goes On” (1980) dhe “Rock Steady” (1987), të cilat arritën vendin e parë në listat e Billboard R&B.
Gjatë karrierës së tyre, The Whispers siguruan 15 këngë në top 10 e listës R&B të Billboard, ndërsa tetë nga albumet e tyre u renditën ndër 10 më të mirat.
Muzika e tyre vazhdoi të jetojë edhe në brezat e rinj, pasi u përdor si samplera nga emra të mëdhenj të hip-hop-it si 50 Cent, Mobb Deep, J. Cole dhe Will Smith – ky i fundit përdori “And the Beat Goes On” në hitin e tij “Miami”.
Walter Scott lindi në Teksas në vitin 1944, por u rrit në Los Angeles. Në vitin 1963, së bashku me vëllain e tij binjak Wallace ‘Scotty’ Scott, ai bashkëthemeloi grupin The Whispers me Nicholas Caldwell, Marcus Hutson dhe Gordy Harmon.
Pas një ndërprerjeje për të shërbyer si sinjalist në Luftën e Vietnamit, Scott u ribashkua me grupin në vitin 1969, duke u bërë pjesë e epokës së artë të sukseseve të tyre.
Për vite me radhë, ai kontribuoi në suksesin e grupit, duke regjistruar nën shtëpi të mëdha diskografike si Soul Train Records, Solar Records dhe Capitol Records. The Whispers vazhduan të performonin edhe dekada më vonë dhe në vitin 2014 u nderuan me hyrje në Sallën e Famës së Grupeve Vokale dhe Sallën Kombëtare të Famës së Rhythm & Blues. /Telegrafi/















































