Site icon Telegrafi

Vit i jashtëzakonshëm në futbollin kosovar: Ballkani kampion për herë të parë në histori, Llapi fitues i Kupës dhe katër skuadra në Evropë

Një vit spektakolar ka kaluar në Superligën e Kosovës në futboll ku do të mbahet gjatë në mend, për faktin se Ballkani fitoi titullin e parë në histori të klubit.

Në sezonin 2021/22, suharekasit arritën të bënin një sezon të jashtëzakonshëm ku në fund në maj e kurorëzuan me titullin e kampionit, që ishte i pari për portokallinjtë.

Të besuarit e Ilir Dajës e mbyllën sezonin në vendin e parë me 76 pikë, ku morën 23 fitore, shtatë barazime e gjashtë humbje.

Si nënkampion e mbylli Drita me 64 pikë, derisa në vendin e tretë ishte rivali lokal i bardhekaltërve Gjilani me dy pikë më pak.

Ballkani dominoi totalisht në Superligë dhe me plotë meritë fitoi titullin e kampionit, që ishte i pari në histori të klubit.

Kësisoj suharekasit përfaqësuan Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, derisa në Ligën e Konferencës shkuan Drita,Gjilani dhe Llapi.

Llapi fitues i Kupës së Kosovës

Ndërkohë Llapi arriti të fitoj për herë të dytë radhazi Kupën e Kosovës në futboll, pasi në finalen e madhe mposhti Dritën me rezultat 2-1.

Arbnor Ramadani dhe Francisco Rivera realizuan për llapjanët, derisa Hamdi Namani shënoi golin e vetëm për Dritën.

Deri në finale të Kupës së Kosovës, Llapi shkoi pasi eliminoi Ferizajn 0-2, Gjilanin 2-0, dhe Prishtinën 3-2 pas dy ndeshjeve.

Ndërkohë rrugëtimi i Dritës deri në finale ishte pasi eliminoi skuadrat si Fushë Kosovën 0-5, Ulpianën 3-0 dhe Ramiz Sadikun 5-2 pas dy ndeshjeve gjysmëfinale.

Feronikeli dhe Ulpiana bien nga Superliga, Ferizaj dhe Trepça ’89 rikthehen

Feronikeli dhe Ulpiana humbën statusin e skuadrave elitare në futbollin kosovar gjatë vitit 2022.

‘Industrialistët’ nga Drenasi mbetën me juniorë dhe e përfunduan kampionatin në vendin e fundit me vetëm 12 pikë, derisa lipjanasit u largua nga Superliga pasi grumbulluan 27 pikë nga 36 ndeshje.

Malisheva mbeti në barazh, por që fitoi finalen e barazhit pasi mposhti Vushtrrinë me rezultat 3-1.

Ndërkohë në elitën e futbollit kosovar u rikthyen dy skuadra të mëdha si Ferizaj dhe Trepça ’89 që ishin kampione në Grupet A dhe B në Ligën e Parë.

Përfaqësimi i skuadrave kosovare në arenën ndërkombëtare, Ballkani shkroi historinë duke u futur në grupe

Si asnjëherë më parë, këtë vit katër skuadra kosovare morën pjesë në garat evropiane, kampioni, nënkampioni, vendi i tretë dhe fituesi i Kupës së Kosovës.

Ballkani arriti të shkruaj historinë duke u kualifikuar deri në grupet e Ligës së Konferencës, gjë që nuk e kishte bërë asnjë skuadër më parë nga Kosova.

Të besuarit e trajnerit Ilir Daja e nisën në raundin e parë të Ligës së Kampionëve, por u eliminuan nga Zalgirisi me rezultat 2-1 pas dy ndeshjeve, për të rënë raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Fati ishte me Ballkanin, pasi përballë kishin La Fioritan e San Marinos, ku e mposhtën me rezultat të përgjithshëm 10-0 (0-4 dhe 6-0) për të kaluar në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës.

Në rrethin e tretë suharekasit u përballen me Klaksvikin e Ishujve Faroe ku e eliminuan me shumë mund pas ekzekutimit të penalltive, pasi ndeshja e parë në Prishtinë përfundoi 3-2 derisa në udhëtim humbën 2-1, por pas ekzekutimit të penalltive suharekasit shkua fituan.

Në ‘Play-Off’, Ballkani u përball me skuadrën shqiptare nga Maqedonia e Veriut, FC Shkupin, ku në dy ndeshje fitoi 1-2 dhe 1-0 për të shkruar historinë duke u futur në grupet e Ligës së Konferencës.

Kampioni kosovar ishte në Grupin G së bashku me Sivasporin, Slavia Pragën dhe CFR Cluj, derisa pas gjashtë ndeshjeve mori katër pikë, por treguan lojë shumë të mira.

Gjilani dhe Llapi nuk arritën të kalonin as raundin e parë, pasi u mposhtën nga Liepaja respektivisht Budocnost.

Ndërkohë skuadra tjetër kosovare, FC Drita arriti të kalonte me sukses raundin e parë të Ligës së Konferencës pasi mposhti Inter Turku në ndeshjen e dytë 3-0 pas humbjes nga ndeshja e parë 1-0.

E në duelin e dytë, Drita bëri paraqitje spektakolare ndaj gjigantit belg Royal Antwerp, por që u mposht në Prishtinë 0-2 pas barazimit të madh në Belgjikë 0-0.

Drita kampion vjeshtor

Ka qenë një stinor vjeshtor i sezonit 2022/23 fantastik me shumë duele interesante.

Gjithsesi skuadra gjilanase Drita do të dimërojë si kampion vjeshtor pasi e mbylli kampionatin me 38 pikë, aq sa ka edhe Ballkani në vendin e dytë, por që ndeshjet direkte Drita i ka më të mira. /Telegrafi/

Exit mobile version