LAJMI I FUNDIT:
Ferizaj 19° partlycloudy_day

Vendimi për dhënien në shfrytëzim të pesë çerdheve në Ferizaj, nxit reagime të ashpra

Vendimi për dhënien në shfrytëzim të pesë çerdheve në Ferizaj, nxit reagime të ashpra

Kuvendi i Komunës së Ferizajt ditë më parë me shumicë të votave ka marrë vendim që pesë çerdhe publike të jepen në shfrytëzim për pesë vjet. Menaxhimin e këtyre objekteve do ta marrë ndonjë kompani private e licencuar e cila ofron çmimin më të lirë për qëndrim ditor të fëmijëve. Por, vendimi i kuvendit komunal po vazhdon të kundërshtohet edhe nga Këshilli i Prindërve në nivel komunal, por edhe nga shoqëria civile “Avonet”.

Naile Krasniqi, kryetare e Këshillit të prindërve në nivel komunal ka thënë për Telegrafin se prindërit po e cilësojnë si privatizim dhënien e objekteve të çerdheve në shfrytëzim. Sipas saj, të gjithë prindërit dhe këshilli i tyre po e kundërshtojnë vendimin e Kuvendit Komunal dhe kërkojnë që ai të shfuqizohet në mbledhjen e radhës.

“Komuna ose veçanërisht drejtoria Komunale e Arsimit së bashku me ministrinë duhet të gjejnë alternativë ose mekanizmat të cilat duhet të funksionalizojnë këto institucione dhe në asnjë mënyrë të mos privatizohen sepse kjo është në dëm të komunitetit, veçanërisht për prindërit ferizajas. Në Kosovë është treg i lirë dhe patjetër që kosto nuk do të mund të kontrollohet prej drejtorisë Komunale të Arsimit, pra do të vendosë vetë organi ose personi i cili do ta marrë objektin dhe krahas rritjes së shpenzimeve të prindërve, do t’i bëjë dëme prindërve dhe fëmijëve të cilët do të shkojnë në këto institucione parafillore”, ka thënë Krasniqi.


Ajo ka shtuar se komuna po bie në ndesh me atë që e ka premtuar për funksionimin dhe menaxhimin publik të këtyre objekteve.

Ndërkaq, Kenan Gashi drejtor në organizatën joqeveritare “Avonet”, ka thënë se mënyra se si ka propozuar ekzekutivi para kuvendit një propozim të tillë është një shqetësim i thellë lidhur për të gjithë, me arsyetim se komuna duhet të garantoj edukim të këtyre fëmijëve në institucione publike dhe jo private.

“Dukuritë e tilla nuk garantojnë sigurinë për fëmijët. Nuk ka logjikë të privatizohen apo të jepen në shfrytëzim objektet për t’ia dhënë mundësinë dikujt t’i privatizon ato. Shteti duhet të garantojë së paku në themelimin, siç parashihet me ligjet e Kosovës për funksionimin dhe themelimin e çerdheve. Shteti duhet të gjejë mënyrat e subvencionimit dhe të garantojë dhe të kërkojë garancion nga qeveria e nivelit qendror për t’i funksionalizuar çerdhet në Ferizaj. Por, jo në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë nuk duhet të jetë mënyra e tillë siç e kemi quajtur në privatizimin e çerdheve lokale”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, shteti është i obliguar ligjërisht edhe nëpërmjet ligjeve të Republikës së Kosovës, por edhe nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që t’i edukojë dhe t’ia jep mundësinë fëmijëve që të shkollohen në institucione publike, e pastaj në ato private.

“Por, asnjë model, në asnjë vend të Republikës së Kosovës nuk ekziston një gjë e tillë siç po ndodh në Ferizaj, prandaj është rrezik permanent për fëmijët, por edhe për koston e lartë financiare të prindërve sepse çerdhet private e kanë tregun e lirë dhe çmimi do të jetë i papërballueshëm për prindërit. Këto çerdhe publike nuk duhet të privatizohen, prandaj do ta kundërshtojmë deri në fund”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se organizata që e drejton do ta monitorojnë procesin e kësaj çështje në të ardhmen ani pse komuna nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve specifike lidhur me dhënien në shfrytëzim të këtyre objekteve.

“Ne i kemi bërë pyetje publike edhe drejtorit edhe komunës se cilat janë kërkesat tua që i ke drejtuar në Qeveri për të marrë mbështetje lidhur me funksionalizimin e këtyre çerdheve, por nuk kemi marrë përgjigje. Ankesat e shumta që kanë ardhur nga prindërit dhe nga edukatoret, tregojnë një shqetësim se ata nuk e shohin të arsyeshëm në një model të tillë sepse privati nuk mundet me ia garantua vendin e punës sepse bizneset private funksionojnë me tregun e lirë. Pastaj ka edhe rrezik të madh për fëmijët sepse e kemi vërejtur në disa raste në Kosovës se si trajtohen fëmijët në çerdhe private”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, në këtë rast komuna nuk do ta ketë mundësinë e monitorimit apo menaxhimit në këto institucione, andaj aty mund të mbesin edukatoret pa punë, pastaj ndaj fëmijëve mund të ketë sjellje jo profesionale, mund të ketë edhe dhunë e të tjera me arsyetim se biznesi privat funksionon i lirë në këtë fushë.

“Në një çerdhe në Ferizaj ka numër jashtëzakonisht të madh të të punësuarve, prandaj komuna është dashur ta menaxhon situatën dhe ta shpërndan atë staf nëpër çerdhe të tjera dhe t’i funksionalizon ato, por këtu nuk është menaxhuar dhe nuk është vepruar siç duhet. Jemi të bindur se nëse komuna do të bënte hapa pozitiv për funksionimin e të gjitha çerdheve, atëherë edhe niveli qendror do ta mbështeste me mënyra të ndryshme sepse kur bëhej fjalë për të ardhmen e fëmijëve nuk besoj se duhet të shikohen inatet politike”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në komunën e Ferizajt, ka thënë se tema për çerdhe është debatuar edhe në nivelin qendror, andaj nuk kanë marrë mbështetje për t’i funksionalizuar ato.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit ka ndërtuar dhe po ndërton në vazhdimësi çerdhe. Ne kemi kërkuar që mos të ndërtojmë çerdhe, por t’i funksionalizojmë ato që i kemi. Në Komunën e Ferizajt kemi pasur katër çerdhe, të cilat ka kohë që demolohen, shkatërrohen nga njerëz të papërgjegjshëm dhe ne jemi akuzuar nga opozita se nuk po bëjmë diçka të mirë për t’i mbrojtur ato, për t’i funksionalizuar ato. Përkundër kërkesave të shumta dhe të vazhdueshme që i kemi bërë në Ministrinë e Arsimit për shtimin e stafit në listën e pagave edukative, profesional, menaxherial e teknik, nuk kemi arritur ta bëjmë një gjë të tillë”, ka sqaruar Llabjani.

Sipas Llabjanit, ka arsye të ndryshme për të cilat mund të diskutohet dhe debatohet akoma më tepër, por, në mungesë të përkrahjes për rritjen e numrit të punonjësve, atëherë janë bazuar në Ligjin mbi zhvillimin e hershëm të fëmijëve, i cili ka krijuar mundësinë që komunat të gjejnë forma alternative për funksionalizimin e çerdheve të cilat nuk janë funksionale dhe nuk janë në përdorim.

“Kjo ka qenë arsyeja që ne duke u bazuar në këtë ligj, kemi arritur që të bëjmë një vendim, një propozim-vendim ta paraqesim para këshilltarëve komunalë, me të cilët kemi kërkuar debat dhe është debatuar bukur gjatë, sidomos në seancën e fundit dhe kemi arritur që ta plotësojmë akoma më tepër atë propozim-vendim, për ta dërguar pastaj në Ministrinë e linjës dhe për të marrë pëlqimin dhe për të vazhduar për funksionalizimin e atyre çerdheve. Ky është hapi i parë që kemi bërë, por ajo çfarë ka qenë shumë e rëndësishme është ofrimi i zhvillimit të hershëm të fëmijërisë në komunën e Ferizajt dhe mundësia t’u krijohet atyre prindërve, të cilët në vazhdimësi kanë kërkesa për sistemimin e fëmijëve të tyre në çerdhe në mënyrë që atyre t’u krijohet hapësira dhe mundësia për të punuar”, ka thënë më tej Llabjani.

Llabjani ka sqaruar se çerdhja “Ardhmëria jonë” e cila ka 46 punëtorë, ajo do të funksionojë si çerdhe publike, ashtu siç e ka statusin nga dita e themelimit e deri në ditët e sotme dhe do të vazhdojë e tillë.

“Ndërsa çerdhet të cilat ne i kemi dhënë me koncesion dhe pastaj do të shohim se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm, janë çerdhja ‘Engjëjt’ në Lagjen e Re. Pastaj është shkolla që ka kaluar në çerdhe me ndihmën e ministrisë në fshatin Babush, është shkolla e cila nuk është funksionale në fshatin Lleshkobare, është çerdhja në fshatin Greme, si dhe është çerdhja e cila është duke u ndërtuar në rrugën ‘Rexhep Bislimi’”, ka thënë më tej Llabjani. /Telegrafi/