Site icon Telegrafi

Vazhdon përplasja ndërmjet serbëve dhe rusëve pas marrëveshjes në Washington, kërkohet të mbyllet e ashtuquajtura Qendra Humanitare në Nish

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar të premten e kaluar marrëveshjen për normalizim ekonomik në Washington. E pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Rusisë.

Zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova kishte publikuar një mesazh turpërues pas vizitës së Vuçiqit në Shtëpi të Bardhë.

“Nëse jeni ftuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe karrigia është ngritur për t’ju marrë në pyetje, uluni si në figurën 2, kushdo që të jeni. Thjesht më beso”, ka shkruar Zakharova në Facebook, përcjell Telegrafi.

Lidhur me mesazhin e MPJ-së së Rusisë kishte reaguar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se, me anë të këtij mesazhi, Zakharova ka treguar primitivizëm dhe se ai nuk do të merret me ta.

“Ka njerëz që thjesht urrejnë dhe po kërkojnë një mënyrë për t’ju thënë diçka. Ata gjithmonë flasin më së shumti për veten e tyre. Maria Zaharova gjithashtu flet më shumë për veten e saj. Primitivizmi dhe injoranca që ajo e ka treguar, fletë për të, e besa edhe për ata që e kanë e kanë emëruar [në këtë detyrë]. Unë nuk do t’i përgjigjem asaj”, kishte thënë Vuçiq.

Lexo po ashtu Vuçiq i reagon MPJ-së së Rusisë: Treguat primitivizëm, nuk merrem me ju

Lidhur me këtë, mediet në Serbi shkruajnë se si shteti rus ka bërë lidhje për të ndikuar në mjedisin serb.

Sipas gazetës Blic, përcjell Telegrafi, Moska në Serbi ka financuar organizata dhe medie pro-ruse. Lista përfshin më shumë se 100 organizata të ndryshme – me një qëllim të qartë dhe unik – që të distancojnë Serbinë nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.

Kjo gazetë pyet se, nëse marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë tashmë janë kaq të zbehura, a është koha që të mbyllet e ashtuquajtura Qendra Humanitare në Nish, apo e njohur si një bazë ruse?

Kjo qendër sipas ekspertëve të sigurisë konsiderohet si një qendër ruse e spiunazhit.

Lexo po ashtu Qendra humanitare në Nish, Rusia shton presionin ndaj Serbisë – SHBA dyshon se mund të shndërrohet në bazë spiunimi

Drejtori i Qendrës për Rajonalizëm, Aleksandar Popov, gjithashtu beson se Serbia duhet të dijë se cili është interesi i saj strategjik, duke iu referuar statusit diplomatik të Qendrës në Nish.

Siç thotë ai, Rusia ishte irrituar nga këmbëngulja e vazhdueshme për këtë, për shkak të së cilës ajo po i bënë presion Serbisë.

“Tani diçka e tillë është edhe më pak e sigurt, dhe pyetja është nëse Qendra Humanitare do të qëndrojë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, pyetja është nëse BE-ja do ta kushtëzojë ndihmën për Serbinë. Prandaj duhet të dimë se cili është interesi ynë strategjik”, tha Popov.

Lexo po ashtu Reagojnë pro-rusët në Serbi: Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, 'gisht në sy' për Rusinë

Po ashtu, pas marrëveshjes kishin reaguar edhe ultranacionalistët pro-rus në Serbi.

Sipas tyre, kjo marrëveshje ia fut “gishtin në sy” Rusisë.

Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor 2019, presidenti Trump e emëroi Richard Grenellin si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime. /Telegrafi/

Exit mobile version