Site icon Telegrafi

“Vala” ngrit çmimet e pakove për shërbime të zërit dhe internetit

Foto: Arkiv

Telekomi i Kosovës këto ditë ka ngritur çmimet për pakot e kombinuara Prepaid që ofrojnë shërbime të zërit dhe internetit.

Disa prej këtyre pakove mujore kanë shënuar ngritje të çmimeve rreth 20 për qind ose nga një euro për pako.

Një prej pakove, e cila ka kushtuar deri më 31 tetor 5 euro e 99 euro tani nga ky muaj kushton 6 euro 99 centë, raporton KosovaPress.

Disa konsumatorë të “Vala” janë ankuar prapa kamerës për këto shtrenjtime. Këtë ngritje të çmimeve, zyrtarë të Telekomit të Kosovës e kanë quajtur simbolike.

Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Fadil Lepaja thotë për KosovaPress se që çmimi i pakove të reja, me përmbajtje gati të dyfishuar, ‘ka ndryshuar fare pak, për të mos thënë simbolikisht’.

“Me modifikimin e pakove, Telekomi i Kosovës e ka rritur dukshëm, në sasi, përmbajtjen e ofertës, e pakove, ndërkohë që çmimi i pakove të reja, me përmbajtje gati të dyfishuar, ka ndryshuar fare pak, për të mos thënë simbolikisht”, thekson Lepaja.

Ai ndër të tjera ka thënë se Telekomi i Kosovës, edhe kësaj radhe, si zakonisht, e dëgjon zërin e konsumatorëve të vet dhe i përshtatë pakot me nevojat dhe kërkesat e tyre.

“Këtë modifikim të pakove Telekomi e ka bërë i motivuar nga rritja e kërkesave të konsumatorëve, kohëve të fundit, si rezultat I modernizimit të rrjetit të Vala dhe kalimit të plotë në teknologjinë 4G+ dhe 5G”, thotë Lepaja në një përgjigje me shkrim.

Konsumatorët e “Vala” janë ankuar prapa kamerës për këto shërbime, derisa zëdhënësi Lepaja thotë se nuk kanë pranuar ankesa lidhur me çmimet e reja të pakove.

Exit mobile version