Site icon Telegrafi

Ushtroi dhunë psikike ndaj rejës së tij – një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit në Shtime

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet R.I., për shkak të dyshimit për dhunë në familje.

Sipas njoftimit, i njëjti në vazhdimësi ka kryer dhunë psikologjike ndaj të dëmtuarës – rejës së tij me inicialet N.K., duke i shkaktuar shqetësim të madh emocional.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit të Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.I., më 5 dhjetor 2022 në një fshat të Komunës së Shtimes, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj të dëmtuarës – rejës së tij N.K., si dhe në vazhdimësi ka kryer dhunë psikologjike ndaj saj, në atë mënyrë që në ditën kritike pas një mosmarrëveshje lidhur me përgatitjen e ushqimit, në mënyrë sistematike ushtron dhunë psikike duke e korrigjuar dhe ndaluar për veprimet brenda shtëpisë, me ç` rast të dëmtuarës i ka shkaktuar shqetësim të madh emocional”, thuhet në njoftimin për media.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së.

Me këtë rast, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version