Kushdo që nuk pajtohet me politikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të Qeverisë që ai drejton, “rrezikon të njolloset dhe të diskreditohet online”.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, thotë se “vigjilenca digjitale” e njerëzve në pushtet, të lidhur me pushtetin ose mbështetës të tij, është e pranishme në të gjitha platformat sociale dhe përdoret për të denigruar gazetarët kritikë ndaj Qeverisë, por edhe kundërshtarët e tjerë.
“Kjo është për keqardhje dhe thirrja jonë e vazhdueshme është që Qeveria të kërkojë që këto fushata të ndërpriten. Ne kemi arsye për të besuar se ato, në disa raste, mund të jenë të organizuara dhe të orkestruara, por, në shumicën e herëve, nisin nga një profil që mund të ketë më shumë popullaritet dhe, pastaj natyrshëm, vazhdohen nga profile të tjera që i ndajnë mendimet e njëjta me ata që e kanë nisur fushatën”, thotë Rexha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
REL-i pyeti në Qeverinë e Kosovës se si i komentojnë pohimet e tilla, por as pas katër ditësh nuk mori përgjigje.
Megjithatë, ato i hodhi poshtë partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje.
“Akuzat që ngrihen nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në drejtim të kryeministrit, për bindjen tonë janë të pabazuara. Ato duhet ta kenë barrën e dëshmisë, sepse ka një shpërputhje ndërmjet akuzave dhe situatës në terren. Republika e Kosovës, gjatë këtyre tre vjetëve të qeverisjes [së Lëvizjes Vetëvendosje], ka shënuar progres në drejtim të përmirësimit të së drejtës dhe lirisë së shprehjes”, tha zëdhënësi Arlind Manxhuka.
Ndryshe prej partisë së tij, disa raporte ndërkombëtare e konfirmojnë ndërhyrjen e tillë të pushtetit në sferën mediatike të Kosovës.
Freedom House publikoi muajin e kaluar raportin për lirinë e medias, ku, në fakt, listoi një sërë problemesh, me të cilat tha se u përballen gazetarët në Kosovë, gjatë vitit 2023.
“Përkundër faktit se Kosova ka një peizazh të larmishëm mediatik, në përgjithësi, liria e fjalës dhe shprehjes ka qenë disi e kufizuar… Shumë media hezitojnë të përfshihen në mbulim kritik për Qeverinë. Gazetarët dhe mediat hasin në disa pengesa – nga mungesa e sigurisë në veriun e tensionuar të Kosovës deri te fushatat denigruese të shpifjes nga Qeveria”, tha, mes tjerash, Freedom House.
Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin për të drejtat e njeriut, të publikuar po ashtu muajin e kaluar, citoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës të ketë thënë se “zyrtarë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe anëtarë të partisë në pushtet, janë angazhuar në fushata shpifëse për të minuar besimin e publikut në media”.
Abit Hoxha, profesor në Universitetin e Agderit në Norvegji dhe studiues i mediave, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka arsye të forta për të besuar në ekzistencën e një “ushtrie digjitale” në Kosovë, e cila mbështet vetëm një kënd të zhvillimeve – atë të Qeverisë.
“Së pari, ka disa burime shumë të sakta, ish-funksionarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e konfirmojnë ekzistencën e një grupi që ka njëfarë vigjilence digjitale ndaj personave që nuk pajtohen me politikat qeveritare. Së dyti, janë grupe që shihen se janë të organizuara prej personave, që, në njëfarë forme, janë të lidhur me pushtetin. Këtu e kam fjalën për grupet në Facebook, që kanë për qëllim denigrimin posaçërisht të grave në politikë dhe të njerëzve që nuk pajtohen me çështje të ndryshme publike në Kosovë”, thotë Hoxha.
Jo më larg se në mars, Gjorgje Bojoviq, këshilltar për Ballkanin Perëndimor i Parlamentit Evropian, tha se ka qenë shënjestër e komenteve denigruese online – kryesisht nga Kosova – të cilat pretendonin se ai nuk është i përshtatshëm për pozitën, pasi i ka mohuar krimet e luftës në Kosovë, në vitet 1998/99.
Bojoviq tha se nuk e ka bërë një gjë të tillë, porse, përkundrazi, ka qenë i angazhuar në ndërveprime mes të rinjve nga Kosova dhe Serbia.
Pasi i doli në mbështetje Bojoviqit, bashkëthemeluesi i OJQ-së mediatike në Kosovë – Sbunker, Agon Maliqi, tha se është bërë, po ashtu, subjekt i një fushate të ngjashme denigruese dhe shpërndau në platformën X disa postime kundër tij.
Në mesin e atyre që reaguan ishte ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha se ky “linçim i organizuar kundër aktivistëve të shoqërisë civile në Kosovë dhe miqve të Kosovës nëpër rrjetet sociale, është i papranueshëm”.
Juristja e mediave, Flutura Kusari, reagoi gjithashtu, duke thënë se ajo që po ndodh në Kosovë, “është shumë e rrezikshme”. “Njerëz të vërtetë me llogari të rreme në mediat sociale sulmojnë të gjithë ata që nuk u pëlqejnë”, sipas saj.
Kusari, duke folur për Exposenë, thotë se ky mjedis çon në censurë dhe vetëcensurë.
“… sepse mesazhi është i qartë: nëse ti e kritikon ose e vlerëson pak më negativisht një veprim të Qeverisë ose mosveprim, atëherë do të masakrohesh online. Është mesazh jashtëzakonisht i keq dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias”, thotë Kusari.
Studiuesi Abit Hoxha thotë se demonizimi i gazetarëve dhe kritikëve të tjerë të Qeverisë kontaminon hapësirën digjitale. Sipas tij, ky është një fenomen i ri në Kosovë dhe është rritur bashkë me digjitalizimin.
“Ka pasur dhunë kulturore në Kosovë, ku gazetarëve u është thënë, ta zëmë, ‘je spiun i Serbisë, je me Serbi’ etj. Por, tani kjo ka marrë përmasa shqetësuese, sepse dhuna ndaj gazetarëve – jo dhuna si veprim fizik, por dhuna kulturore, ku gazetarët shahen dhe pështyhen – është rritur shumë”, thotë Hoxha.
E pyetur se a mund të ketë implikime ligjore kjo dukuri, Kusari, e cila është këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, përgjigjet:
“Është pyetje tepër e vështirë, por mendoj se në rastet ku dikush online bën kërcënime, qoftë direkt ose indirekt, ndaj një gazetari, ndaj një aktivisti etj., policia duhet të veprojë shpejt. E jo të veprojë shpejt vetëm kur një ministër ose ministre fyhet e ofendohet, e kur iu ndodh një gjë e tillë gazetarëve, që kanë rol shumë me rëndësi në shoqëri, të mos merren masa. Kështu që ka hapësirë që policia dhe prokuroria të jenë shumë më të shpejta, sepse pastaj mund të ndikojnë që qytetarët të jenë shumë më të njohur me pasojat ligjore dhe të kenë kujdes online”.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës nuk ka ndonjë nen të veçantë për bullizmin në rrjetet sociale. Por, neni 182 i tij i përcakton ndëshkimet potenciale për ngacmim, i cili përkufizohet si vëmendje apo komunikim me qëllim të “frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes”.
Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se, deri më tash këtë vit, ka proceduar tetë raste kundër gazetarëve – mes tyre pesë raste të kanosjes, dy të ngacmimit dhe një të sulmit.
Pa specifikuar shumë, policia tha se janë ngritur kallëzime penale kundër gjashtë personave të dyshuar, dy raste janë nën hetim dhe dy persona janë ndaluar.
Për t’i adresuar këto sfida, Kusari thotë se Qeveria, fillimisht, duhet ta dënojë denigrimin online të gazetarëve dhe kritikëve – gjë të cilën nuk e ka bërë – si dhe t’i përqafojë pikëpamjet alternative. Këto, sipas saj, janë të domosdoshme për të pasur një diskurs të shëndoshë publik.
“Aktualisht, Këshilli i Evropës ka lansuar fushatën e sigurisë së gazetarëve. Kosova mund t’i bashkëngjitet kësaj fushate dhe ajo që mund të bëjë, është të miratojë planin e strategjisë për sigurinë e gazetarëve. Dhe, kështu, të dëshmojë se dëshiron të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, por fillimisht duke i respektuar standardet e tij, e jo duke i shkelur ato”, thotë Kusari.
Përveç sulmeve ndaj gazetarëve, bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë përmendin edhe, siç thonë, dy nisma të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës për të minuar lirinë e mediave.
Një, sipas tyre, është tentativa përmbylljen e Televizionit Klan Kosova, dhe dy është Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, me të cilin thonë se tentohet të kontrollohen mediat online.
Radio Evropa e Lirë u ka bërë një analizë raporteve që ka publikuar Freedom House në dhjetë vjetët e fundit për nivelin e demokracisë në vendet në transit dhe ka gjetur se, në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, niveli i demokracisë është në rritje vetëm në Kosovë.
Rexha, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, thotë se sulmet kundër gazetarëve, përfshirë gjuhën denigruese kundër tyre, “nuk do të duhej të ndodhnin në një shtet me demokraci të zhvilluar si Kosova”.
Duke i përmirësuar marrëdhëniet me media, Qeveria e Kosovës mund ta avancojë pozitën e Kosovës në renditjen globale për demokraci, përfundon Rexha. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Në rastin "Kobra", babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro
Tiranë, publikohen pamje të reja nga ekzekutimi i 28-vjeçarit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje