Presidenca ukrainase ka thënë se më shumë se 40 ushtarë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë – dhe disa janë plagosur.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, Oleksiy Arestovych, një këshilltar në zyrën e Presidentit, tha se përveç viktimave ushtarake, “me sa di unë, për momentin ka edhe disa civil të vrarë – deri në dhjetë”.
Rusia nisi një sulm ushtarak në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, fqinjit të saj jugor, me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.
Në anën tjetër, ministria ukrainase e Mbrojtjes përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar se i ka shkaktuar humbje të mëdha forcave ruse.
Ata kanë njoftuar se pas operacionit për mbrojtjen e vendit, kanë arritur të rrëzojnë 6 aeroplanë rusë, 2 helikopterë, kanë arritur të shkatërrojnë 2 tanke, si dhe të vrasin 50 separatistë rusë.
Zyrtarë të shumtë perëndimorë kanë dënuar bombardimet ruse që kanë nisur përreth Ukrainës në orët e para të së enjtes. /Telegrafi/