Ukraina hakon linjën ajrore ruse, anulohen fluturimet

Linja ajrore ruse Aeroflot anuloi dhjetëra fluturime pasi një grup hakerësh pro-ukrainas mori përgjegjësinë për një sulm kibernetik në sistemet e linjës ajrore.
Aeroflot tha se po përjetonte ndërprerje të shërbimit në të gjitha sistemet e saj elektronike dhe iu desh të rregullonte oraret e fluturimeve.
Linja ajrore nuk dha detaje të mëtejshme rreth sulmit kibernetik ose sa kohë do të duhej për të rivendosur shërbimet, por paralajmëroi pasagjerët për vonesat dhe anulimet.
"Klientët mund të hasin probleme gjatë aksesit në shërbimet tona", tha linja ajrore në një deklaratë, shkruan euronews.
"Ne u kërkojmë pasagjerëve të monitorojnë përditësimet në kohë reale në faqet e internetit të aeroportit, ekranet e informacionit dhe njoftimet publike në të gjithë rrjetin e itinerareve të linjës ajrore."
Kompania ajrore tha se ekipet e saj teknike po "punonin në mënyrë aktive për të minimizuar ndikimin në operacionet e fluturimit dhe për të rikthyer të gjitha shërbimet në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur".
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se sulmi ishte "mjaft alarmues" dhe Prokurori i Përgjithshëm rus konfirmoi se problemet e Aeroflotit ishin rezultat i një sulmi kibernetik.
Një hetim penal është hapur, njoftoi zyra.
Raportohet se një grup hakerësh që e quan veten Silent Crow mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ishte bërë së bashku me një grup bjellorus të quajtur Cyberpartisans BY.
Silent Crow tha se sulmi ishte i lidhur drejtpërdrejt me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
"Lavdi Ukrainës! Rroftë Bjellorusia", tha grupi në një deklaratë.
Grupi pretendoi se kishte shkatërruar rreth 7,000 servera të Aeroflot, kishte hyrë në bazat e të dhënave të historikut të fluturimeve dhe kishte kompromentuar sisteme kritike të korporatave.
Silent Crow kërcënoi gjithashtu të fillonte publikimin e "të dhënave personale të të gjithë rusëve që kanë fluturuar ndonjëherë me Aeroflot". /Telegrafi/
















































