LAJMI I FUNDIT:

Trauma e Luftës së Parë Botërore që frymëzoi “Kryezotin e unazave”

Trauma e Luftës së Parë Botërore që frymëzoi “Kryezotin e unazave”
JRR Tolkein në dhomën e tij të punës (foto: Getty Images)

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

“Tregimet, në të vërtetë historitë njerëzore, gjithmonë kanë të bëjnë me një gjë – me vdekjen. Me pashmangshmërinë e vdekjes”, ka thënë autori i Kryezotit të unazave [Lord of the Rings], JRR Tolkien, në një dokumentar të BBC-së në vitin 1968, teksa përpiqej të shpjegonte se për çfarë në të vërtetë fliste opusi i tij madhështor i fantazisë.

Romani, vëllimi i parë i të cilit u botua 70 vjet më parë këtë javë, ka magjepsur lexuesit qëkur doli në rafte në vitin 1954. Kryezoti i unazave – me botën e vet komplekse letrare dhe historitë e detajuara të tokave të populluara nga kukudhët dhe hobitët dhe nga magjistarët e kërcënuar nga Sauroni keqdashës – në kohën e intervistës veçse ishte bestseller dhe bazament për zhanrin e fantazisë.


Për të shpjeguar më mirë se çfarë donte të thoshte me historinë e vdekjes, Tolkieni fut dorën në xhepin e xhaketës dhe nxjerr portofolin brenda të cilit ishte një copë gazete. Më pas lexoi me zë të lartë, nga artikulli i cili citonte pjesë nga Vdekja shumë të lehtë [Une mort très douce] e Simone de Beauvoirit – rrëfimin e saj prekës të vitit 1964, për dëshirën e nënës së saj për të jetuar gjatë ditëve të fundit në shtratin e vdekjes.

“Nuk ka gjë të tillë si vdekja e natyrshme”, lexoi ai. “Asgjë që i ndodh njeriut, kurrë nuk është e natyrshme, pasi prania e saj [vdekjes] vë botën në pikëpyetje. Të gjithë njerëzit duhet të vdesin, por për secilin njeri vdekja e tij është aksident dhe – edhe nëse ai e kupton dhe e pranon atë – një shkelje e pajustifikueshme”.

“Epo, ju mund të pajtoheni me fjalët ose jo”, tha ai. “Por, këto janë burimet kryesore të Kryezotit të unazave“.

Hija e vdekjes ndikoi gjatë jetës së hershme të Tolkienit dhe ato përvoja kishin formësuar mënyrën se si ai e shihte botën – duke ndikuar te temat të cilat vazhdimisht do t’i rishikonte, teksa shkruante përrallat e veta për Tokën e Mesme.

John Ronald Reuel Tolkien lindi në vitin 1892, nga “dy prindër shumë anglezë, jashtëzakonisht britanikë” – në Afrikën e Jugut ku ata ishin shpërngulur – ndërsa babai i tij ndoqi karrierën si bankar.

Kur ishte tre vjeç, gjatë një vizite në vendin e origjinës për të takuar familjen angleze – bashkë me nënën dhe me vëllain e tij më të vogël Hilary – babai i cili kishte planifikuar të bashkohej më vonë me ta, vdiq papritmas nga ethet reumatike. Duke qenë ai mbajtës i familjes, vdekja e tij e papritur e varfëroi familjen. Nëna e tij Mabel vendosi të jetonte në Mbretërinë e Bashkuar, duke qëndruar në një kasolle të lirë në fshatin Serhol afër Birmingemit.

Kthimi i tij në Angli ishte “një lloj i kthimit të dyfishtë në shtëpi, gjë që efektin e livadheve të zakonshme angleze dhe pushimet në fshat i bëri shumë të rëndësishme për mua”, tha Tolkieni për BBC.

Ndërthurja mes zonës fshatare përreth, dhe Birmingemit të industrializuar pranë, vazhdoi të ndikojë së tepërmi në peizazhet të cilat i përmblodhi më vonë te Kryezoti i unazave.

Tolkieni ishte jashtëzakonisht i afërt me Mabelën, e cila i edukoi djemtë e saj në shtëpi dhe e cila tek ai e zgjoi dashurinë për tregimin, për mitet dhe për botanikën. E zhvilloi dhuntinë e tij të jashtëzakonshme për gjuhët, duke e mësuar në latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht në moshë të re dhe duke e frymëzuar atë të shpikte – më vonë, thjesht për kënaqësi – gjuhët e veta.

Kur ishte 12 vjeç, Mabela u diagnostikua me diabetin e tipit një, gjë që para zbulimit të insulinës – në vitin 1921 – përbënte një prognozë fatale. Nëna e Tolkienit u konvertua në katolicizëm në fillim të shekullit dhe kur ajo vdiq më 14 nëntor 1904, të dy djemtë jetimë u lanë në kujdestarinë e një prifti, të Atit Xavier Morgan, dhe më pas te një teze.

Aftësia studimore e Tolkienit ia siguroi atij një vend në Universitetin e Oksfordit, ku ai i studioi klasikët përpara se të kalonte në filologji – për shkak të talentit të tij për gjuhët. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, më 1914, arriti të shtyjë rekrutimin për shkak të studimeve. Por, pas diplomimit të tij në vitin e ardhshëm dhe përballë presionit të shtuar social nga të afërmit, u caktua si toger i dytë në Këmbësorinë e Lenkëshërit dhe u dërgua në Frontin Perëndimor.

Batalioni i Tolkieni mbërriti në Somë në fillim të korrikut 1916. Beteja doli të jetë një nga konfliktet më të përgjakshme në historinë njerëzore. Tmerri brutal i luftës së istikameve të cilin ai e duroi atje – me baltën, kaosin dhe vdekjen – la gjurmë të pashlyeshme tek ai dhe vazhdoi të depërtonte në shkrimet e tij të mëvonshme.

Fushat e rrënuara nga lufta, në Francë dhe në Belgjikë, mund të shihen në përshkrimet e tij për peizazhin skëterrë e të mjerë të Mordorit te Kryezoti i unazave. Jehonat e vuajtjes dhe masakrës së pamasë të cilat i dëshmoi – të shkaktuara nga lufta e re e mekanizuar – mund të gjenden në portretizimin e tij të makinerive të tmerrshme të luftës së orkëve dhe në shpyllëzimin e Tokës së Mesme nga magjistari i korruptuar Saruman.

Autori i librit Tolkieni dhe Lufta e Madhe [Tolkien and the Great War], John Garth, në vitin 2017 i tha BBC-së se ai beson se romancieri shkrimin e vet e përdori si “ekzorcizëm” për tmerret që ka parë në Luftën e Parë Botërore. Ethet e istikameve nuk ishin mënyra e vetme me të cilën lufta preku romancierin, sugjeron ai. “I kishte humbur dy nga miqtë e tij më të dashur në Somë dhe, mund ta paramendoni, ai duhet të ketë qenë brenda një rrënimi psikik po aq sa ishte fizikisht”, tha ai.

Këtë mendim e ka edhe poeti dhe teologu Dr. Malcolm Guite. Në podkastin e BBC-së, Great Lives, në vitin 2021 ai tha se “ka detaje të cilat mendoj se vijnë drejtpërdrejt nga përvoja e tij e luftës dhe të cilat ndoshta nuk mund t’i shkruante drejtpërdrejt [më pas]. Ishte i traumatizuar. Pra, trupat e pajetë në pellgje në marshimet duke shikuar lart. Mbetjet e tmerrshme përballë Mordorit me avujt helmues që dalin nga toka. Gjithë kjo buroi nga Fronti Perëndimor”.

Në mënyrë të ngjashme, përvoja e Tolkienit për shoqërinë e mirë që krijohet midis ushtarëve të cilët i durojnë mizoritë e tilla, ia shton realizmin fin dhe kuptimplotë lidhjes së palëkundur të hobitëve kryesorë te Kryezoti i unazave – të Semit dhe Frodos.

“Tolkieni në mënyrë specifike tha se kjo ishte marrëdhënia e atyre oficerëve të rinj të cilët u masakruan, si dhe betmenëve të tyre [ushtar i caktuar te një oficer si shërbëtor personal] – siç quheshin ata”, tha Guite.

Në nëntor 1916, pas muajve të tërë në betejë, Tolkieni sëmuret nga ethet e istikameve, nga sëmundja e shkaktuar nga morrat, dhe ai si i paaftë u kthye në Angli. Në fund të luftës, ishin vrarë pothuajse të gjithë njerëzit me të cilët kishte shërbyer në batalion.

Derisa përvojat e Tolkienit gjatë kohës së luftës mund t’ia kenë shtuar thellësinë dhe autenticitetin botës mitologjike që krijoi, vetë autori gjithmonë pohoi se nuk e shkroi Kryezotin e unazave si alegori për Luftën e Parë Botërore, ose për ndonjë ngjarje tjetër specifike nga historia.

“Njerëzit nuk e kuptojnë tamam ndryshimin midis alegorisë dhe përdorimit”, tha ai për BBC më 1968.

“Mund të shkosh në një shfaqje të Shekspirit dhe, nëse dëshiron, mund ta përdorësh atë te gjërat që ti ke në mendje, por ato nuk janë alegori … Dua të them se shumë njerëz e përdorin Kryezotin te bomba bërthamore dhe mendojnë se kjo ishte në mendjen time dhe se e gjithë kjo është alegori e kësaj. Por, nuk është”.

Por, interesimi i vazhdueshëm për Kryezotin e unazave ka të bëjë me atë se vepra është më shumë se thjesht alegori e drejtpërdrejtë. Temat që eksploron – lufta dhe trauma, industrializimi dhe rrënimi i botës natyrore, ndikimi korruptues i pushtetit dhe se si lidhja e miqësisë mund të ndihmojë njerëzit të durojnë fatkeqësinë dhe humbjen – jehojnë përtej një ngjarjeje apo një kohe të vetme.

Ky roman i fantazisë, nganjëherë nga disa kritikë është hedhur poshtë si thjesht një histori aventureske e miqve trima të cilët e luftojnë një të keqe të papërshkrueshme. Por, Kryezoti i unazave nuk është glorifikim i luftës – është reflektim se si vdekja dhe trauma e konfliktit, në mënyrë të pakthyeshme i ndryshojnë ata të cilët e dëshmojnë dhe e jetojnë atë.

Tjetërsimi që është e ndier nga shumë ushtarë të cilët shërbyen në Luftën e Parë Botërore dhe që u kthyen në shtëpi të përshëndetur nga ata të cilët nuk ishin në gjendje të kuptonin atë që këta kishin parë dhe bërë, pasqyrohet në librin e fundit kur hobitët kthehen në Shajër. E shohin botën e tyre të ndryshuar pas betejës, me bashkëvendësit hobitë të paaftë për të kuptuar se pse Frodo dhe Semi, të cilët janë të përhumbur nga ajo që kanë kaluar në udhëtimin e tyre, nuk mund të jenë më kurrë të dëlirë.

“Një recensent dikur tha se ishte libër shumë i këndshëm, apo jo?” – tha Tolkieni për BBC. “Të gjithë djemtë e mirë kthehen në shtëpi dhe të gjithë janë të lumtur dhe të gëzuar. Sigurisht që nuk është e vërtetë. Ai mbase nuk e ka lexuar historinë”. /Telegrafi/