Tifozët e Coldplay janë bërë bashkë në një valë reagimesh virale, pasi një moment i papritur gjatë koncertit të grupit në Boston ka ndezur rrjetet sociale.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës artificiale Astronomer, Andrew Byron, u shfaq në kamerën e puthjes në stadiumin “Gillette” me krahun rreth shefes së burimeve njerëzore të firmës, Kristin Cabot.


Dyshja, që sipas të dhënave publike janë të martuar me persona të tjerë, u përpoq të fshihte momentin, por kjo nuk i shpëtoi syrit të vokalistit Chris Martin, i cili me humor komentoi: “Ose kanë një aferë, ose janë thjesht shumë të turpshëm”.

Videoja shpërtheu menjëherë në rrjet, duke u bërë meme e ditës dhe duke sjellë komente të pafundme nga përdorues që falënderonin Coldplay që “bashkoi internetin për një ditë”.

Përdoruesit krahasuan momentin me skena nga “Titanic” e madje spekuluan se grupi mund të bëjë një këngë të re për çiftin e papritur.

Kompania Astronomer, që vlen mbi 1 miliard dollarë (afërsisht 920 milionë euro) dhe bashkëpunon me gjigantë si Uber dhe LinkedIn, nuk ka komentuar ende.

Byron dhe Cabot, ndërkohë, ishin vlerësuar më herët për lidershipin e tyre në firmë.

Koncerti ishte pjesë e turneut botëror “Music Of The Spheres”, që do të vijojë në qytete si Nashville dhe Miami para kthimit të grupit në Britani gjatë gushtit. /Telegrafi/