Termokos, ndal ngrohjen në pikë të dimrit

Zëdhënëse e Ngrohtores “ Termokos”, Afërdita Uka thotë për Kosovapress se sezoni i ngrohjes për qytetarët e kryeqytetit është ndërprerë përkohësisht, në mungesë të mazutit dhe se ngrohja nga Termokos, mund të rifillojë vetëm në rast se konsumatorët, i përgjigjen thirrjeve për pagesë të faturave.
“Kemi bërë një ndërprerje të përkohshme të ngrohjes, për shkak të shpenzimit të rezervave të mazutit që kemi pasur në dispozicion, falë subvencioneve që kemi marrë nga Qeveria e Kosovës për blerjen e mazutit. Ende pa u shpenzuar kjo sasi e mazutit, ne u kemi bërë apele të vazhdueshme konsumatorëve tanë, që janë borxhli të Termokos-it që t’i paguajnë të gjitha faturat e ngrohjes dhe të na mundësojnë neve, që të sigurojmë mjete të mjaftueshme, për vazhdimin e sezonit ngrohës. Kemi përsëritur shumë shpesh se vazhdimi i këtij sezoni ngrohës dhe kohëzgjatja e tij, varet nga pagesat që do të bëjnë konsumatorët tanë. Ndonëse kemi pasur një ngritje të shkallës së inkasimit ajo ende është larg synimeve tona, nevojave dhe kërkesave, që ka Termokos-i për të mbuluar shpenzimet operacionale për prodhimin e ngrohjes me mazut ”, tha Uka.
Sipas saj, kostoja e lartë e mazutit dhe ngitja e vazhdushme e çmimit, ka pamundësuar furnizimin e mëtutjeshëm me ngrohje. “Me shpresë që konsumatorët tanë duhet të fillojnë të mendojnë me seriozisht për vetveten dhe do të na mundësojnë neve të blejmë sasi të reja të mazutit me pagesat që do të bëjnë ata për ngrohjen e shpenzuar”, tha Uka.
Por pensionisti Idriz Musliu, i cili së bashku me gruan e tij të sëmurë, jetojnë në Lagjen Ulpiana të Prishtinës, thotë për Kosovapress se nuk kanë fare ngrohje që 10 ditë dhe se nuk kanë si të paguajnë, për diçka që nuk kanë. “Deri para 10 ditëve ka pasur nxemje. Që 10 ditë nuk kemi, e kam shoqen e sëmurë po ashtu edhe vet. Pa pas nxemje s’kemi qysh me e pagu. Sepse po harxhojmë rrymë dhe se ne që 10 ditë s’kemi aspak nxemje. Nuk e di pse çka është bërë, po thonë se s’ka mazut. Nëse i lëshojnë nxemjet i paguajmë, por nëse ata nuk i lëshojnë s’kemi qysh me i pagu. Çka me pagu përpara, a me pagu rrymën a Termokos-in. Edhe rryma shtrenjtë shumë edhe kjo është shtrenjt. Edhe me këste e kam pagu ama nëse nuk e lëshojnë se kemi njet me pagu.....tash më së ftohti është, e bash tani na e ndalen. Unë nuk ia paguaj ”, tha ai.
Ndërsa Halide Gojnovci, thotë se nuk është në rregull që Termokos ta ndalë ngrohjen në këto ditë të ftohta. Ajo thotë se është e detyruat të ngrohet me rrymë apo me plin dhe se nuk e ka ndërmend të paguaj për një shërbim i cili nuk i ofrohet.
Ndryshe, sipas Termokosit edhe pse inkasimi është ngritur për 36 për qind, kjo nuk ka ndikuar në zbritjen e borxhit total, që konsumatorët që nga paslufta kanë ndaj Termokosit, e i cili arrin vlerën totale prej mbi 17 milionë euro. 14 milionë nga to janë borxhe të subjekteve banesore, ndërsa mbi 3 milionë, janë borxhe të subjekteve afariste. /Telegrafi/




















































